Tiranë, 21 Korrik, NOA – “Ministri i Financave, Ridvan Bode, vazhdon të fshehë të vërtetën e hidhur të krizës ekonomike shqiptare. Të krizës së sipërmarrjeve shqiptare, të krizës së buxheteve familjare shqiptare”, ka thënë sot në një deklaratë për shtyp, deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja.
Duke vijuar me pohimin se Bode është përsëritës në mëkatin e tij, pasi nëse Bode nuk ishte autori i piramidave të 1997, ai ishte përgjegjësi kryesor që i vuri në gjumë shqiptarët.
“Dhe nëse Bode nuk është autori i krizës aktuale ekonomike, ai është bashkëpërgjegjës për fshehjen e saj dhe për thellimin e saj. Ne e kemi deklaruar që nëntor 2009 që buxheti do të dështonte. Sot deklarojmë që edhe arnimet e tij do të dështojnë”, shtoi më tej Beqja.
Sipas tij, thjesht duke krahasuar buxhetin fillestar 2010 me zbatimin 6-mujor të tij duken qartë këto fakte, pra që ministri Bode vazhdon të fshehë të vërtetën.
“Për herë të parë në 10 vjet jepet fakti i 6-mujorit, por nuk jepet plani i 6 mujorit, nuk tregohet sa është përqindja e mosrealizmit të tij. Në të vërtetë deficiti në mbledhjen e të ardhurave për 6 muaj është 160 milionë dollarë. I vetmi zë me tejkalim është deficiti buxhetor i cili është dy herë më i lartë se programi i 6 mujorit të parë”, apeloi Beqja.
“Në këtë tabelë të shpenzimeve të 6-mujorit tregohet se nuk është shpenzuar asnjë qindarkë për kompensimin e pronarëve. Këto të vërteta ne i tregojmë prej kohësh, ne i përsërisim prej kohësh. Nëse qeveria nuk do të dëgjojë, shqiptarët nuk do të falin për të dytën herë dyshen Berisha-Bode, për shkatërrimin që po i bëjnë ekonomisë së vendit”, përfundoi deklaratën e tij, deputeti socialist, Ilir Beqja.
n.e/NOA