Bizneset "Të Preferuarit" E Bankave Per Kreditim
M
TIRANE, 21 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Bizneset vazhdojnë të mbeten segmenti më i qëndrueshëm dhe i parapëlqyer për kreditim gjatë vitit 2009, me peshë 63.48% të totalit të portofolit të kredive nga 61.77% në dhjetor 2008.
Duke e konsideruar periudhën njëvjeçare, rritja me dy e kredive ndaj bizneseve, kundrejt atyre ndaj individëve është e zhbalancuar (16.5% për biznese dhe 3.2% për individët). Rreth 60% e kredisë dhënë individëve është kredi në monedhë të huaj, nga e cila 97.2% është në monedhën e përbashkët evropiane (euro) dhe rreth 2.7% në dollarë amerikanë (USD).
Ndërkohë, kredia dhënë bizneseve është në masën 74.6% në monedhë të huaj, nga e cila rreth 86.2% e saj është në euro, ndërkohë që vetëm 13.7% është në USD. Ndërkaq, raporti i bankës qendrore vë re se bizneset kanë vuajtur më shumë rritjen e përqindjes së huave me problem. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se huat me probleme në portofolin e kredisë së bizneseve në fund të vitit 2009 ishin në nivelin 12.3%, ndërkohë që në segmentin e individëve kreditë me probleme zinin 8.2% të totalit.
Statistikat tregojnë se mes sektorëve të biznesit, që kanë më shumë problem në shlyerjen e kredive, vendin e parë e zë peshkimi. Ndonëse ka një peshë shumë të vogël në totalin e portofolit të kredisë të sektorit bankar, peshkimi ka një normë të kredive me probleme në masën 28.4%. Me një diferencë të ndjeshme vijojnë dy sektorë më të rëndësishëm, ndërtimi dhe ai i hoteleve dhe restoranteve. Portofoli i kredisë për ndërtimin është problematik në masën 13.9%, ndërsa ai i kredisë për hotelet dhe restorantet në masën 13.7%./a.s/