Durrës, 21 Korrik, NOA – Pas arrestimit të autorit të dyshuar për vrasjen në mëngjesin e djeshëm të pronarit të lokal “Diaspora” në Durrës, në kuadrin e saj sot janë kryer edhe dy arreste të reja nga forcat policore të qytetit bregdetar.
Një fakt të tillë ato e kanë konfirmuar para pak minutash për agjencinë e Lajmeve NOA, duke bërë me dije se të ndaluarit e sotëm janë cilësuar si bashkëpunëtorë të autorit të dyshuar Shpëtim Mema, pasi e kanë shoqëruar me makinë menjëherë pas krimit të rëndë, kur ai u largua me një makinë direkt nga vendngjarja.
Konkretisht, mësohet se të ndaluarit janë Fatjon Krasniqi, 18-vjeç dhe Shefqet Spahiu, 31-vjeç, të cilët pas veprimeve hetimore mbi ngjarjen, rezultojnë të jenë të implikuar rretha saj e prandaj forcat policore kanë realizuar arrestimin në flagrancë të tyre.
Ndërkaq, Shpëtim Mema, i moshës 32-vjeç, banues në Shijak, mbetet autori kryesor i vrasjes së pronarit të lokal “Diaspora” në Durrës, pas sherrit për humbjen e një celulari në mjediset e këtij të fundit.
Gjatë orëve të mbrëmjes së dy ditëve më parëë ka frekuentuar lokalin e viktimës, por aty i ka humbur një celular dhe është kthyer në orët e para të mëngjesit sërish aty për të qëlluar me armë Agim Secin, 50-vjeç me origjinë nga Tropoja dhe që prej shumë vitesh kishte jetuar në Gjermani, por që vitet e fundit njihej si pronar i lokal “Diaspora” në Durrës.
n.e/NOA