Elbasan:Parandalimi I Gjuetisë Së Paligjshme, Prioritet I Federatës Së Gjuetarëve
ELBASAN, 21 Korrik/ATSH-Miranda Sadiku/.- Gjahatarët e Elbasanit kërkuan sot që Federata kombëtare të forcojë masat në zbatim të ligjit për mbrojtjen e kafshëve të egra në vend dhe ndalimin e gjahtarëve të huaj, që po gjuajnë me mjete shfarosëse.
Gjuetia e kontrolluar dhe zbatimi i ligjit të ri të gjuetisë "Për parandalimin dhe disiplinimin e gjuetisë së paligjshme", ishin sot tema e një simpoziumi të organizuar në Elbasan nga Federata e Gjuetarëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me shoqatat e gjuetarëve "Egnatia" dhe "Elbasani".
Anëtarësia e dy shoqatave të rajonit të Elbasanit u shprehën të pakënaqur për zbatimin e ligjeve kundër gjuetisë së paligjshme nga kryesitë, organet e policisë së rendit dhe Drejtorisë së Shërbimit Pyjor.
Anëtarët e shoqatës "Elbasani" dhe "Egnatia" shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj Federatës së Gjuetarëve të Shqipërisë.
Sipas tyre, "kjo federatë nuk po zbaton ligjet e gjuetisë dhe është përgjegjëse për sjelljen në Shqipëri të gjuetarëve të huaj, kryesisht ata italianë, të cilët po shfarosin faunën e egër, me mjete imituese dhe të tjera shfarosëse".
Presidenti i Federatës së Gjuetarëve të Shqipërisë, Pirro Angjeli, i sapozgjedhur në këtë post, u shpreh optimist në respektimin e ligjit të ri të gjuetisë dhe në evitimin në masë të gjuetisë së paligjshme në pyjet e këtij rrethi.
Angjeli kërkoi bashkëpunimin e Policisë Pyjore dhe të Rendit për të bërë të mundur arrestimin e të gjithë atyre individëve, qoftë edhe anëtarë të shoqatës, që kryejnë gjueti në mënyrë të paligjshme.
Në rrethin e Elbasanit janë anëtarësuar 1700 gjuetarë. Që nga viti 1991 në pyjet e këtij rajoni nga gjuajtja në mënyrë barbare të faunës së egër, ka çuar drejt shfarosjes specie të tilla si thëllëza e fushës, dhia e egër e malit, kaprolli, derri i egër e të tjerë specie të cilat zukuronin pyjet piktoresk të kësaj zone./a.s//n.m/