Francë - Aeroporte - Probleme Dhe Anulime Fluturimesh Për Shkak Të Grevës Së Kontrollorëve
PARIS, 21 korrik /ATSH-ANSA/ - Probleme të shumta janë hasur sot në Francë për shkak të grevës së kontrollorëve ajror, e cila ka shkaktuar shumë anulime fluturimesh dhe mbylljen e disa aeroporteve të vegjël, ndër të cilët ato të lokaliteteve turistike të La Rochelle e Biarritz.
Në Paris, siç u paralajmërua nga Drejtoria e përgjithshme e aviacionit civil (Dgac), janë anuluar 50 për qind e fluturimeve në aeroportin e Orly dhe 20 për qind në atë të Roissy-Charles de Gaulle dhe 29 për qind në aeroportin e specializuar për fluturime me kosto të ulët, Beauvais. Anulime me rreth 20 për qind ka pasur edhe në Bordo dhe Marsejë dhe me 10 për qind në Lion dhe Nisë.
Situata duhet të komplikohet akoma më shumë për shkak të kushteve meteorologjike, për shkak se sot në Francë janë parashikuar stuhi të forta.
/e.v/