English

Gramsh:Fermerët E Rrethit Interes Për Mbjelljen Dhe Kultivimin E Ullirit

GRAMSH, 21 Korrik/ATSH-Miranda Sadiku/.-Rrethi i Gramshit rreth 45 kilometra larg Elbasanit, edhe pse nuk njihet për kultivimin e ullirit për shkak të kushteve klimatike, ne dy vitet e fundit është vënë re rritje e interesit të fermerëve për këtë kulturë. Subvencionet e dhëna nga qeveria shqiptare gjatë vitit 2009 për kultivimin e ullirit në këte zonë u përfituan nga 68 fermerë. Shefi i Shërbimit Këshillimor pranë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Neshat Sadiku pohon për ATSH se "fermerët gramshiotë kanë përfituar nga subvencionet e shtetit për mbjelljen dhe kultivimin e drurit të ullirit. Gjatë vitit 2010 në këtë rreth aplikuan 50 fermerë duke shtuar kështu rreth 20 hektarë me ullishtë të re, ku çdo fermer ka përfituar 2.5 milion lekë të vjetra". Sipas Sadikut, "tokat për të mbjellë parcela të mëdha me ullinj janë të pakta në rrethin e Gramshit, por megjithatë kjo është parë me interes të madh nga fermerët gramshiotë, pasi ndikon në ekonominë e tyre". Ndërsa një pjesë e madhe e fermerëve të këtij rrethi duket se i kanë dhënë rëndësi të veçantë zhvillimit të bujqësisë. Krahas bujqve që merren me tokën, një pjesë e fermerëve merren me biznesin e farërave dhe pesticideve cilësore që janë ndihmëse në prodhimet bujqësore të kësaj zone. Sadiku pohon se shumë fermerë kanë aplikuar edhe për përfitimin e farërave dhe pesticideve cilësore, që i përshtaten rivierës së këtij rrethi malor. Ardhja e farërave cilësore dhe me çmime të arsyeshme ka rritur cilësinë e prodhimeve, qoftë të perimeve, por dhe në vreshtari. Vetëm në rrethin e Gramshit numërohen rreth 300 fermerë të cilët merren me zhvillimin e bujqësisë dhe blektorisë. Sipas Sadikut "janë të shumtë fermerët e kësaj zone, të cilët i nxjerrin prodhimet e tyre jo vetëm në tregun e Gramshit, por dhe në Elbasan e gjetkë"./a.s/
KOMENTE