English

Instat: Biznesi në krizë

Tiranë, 21 korrik, NOA, Rajmonda Lajthia - Vështirësitë ekonomike që po has biznesi vendas janë konfirmuar nga Instituti i Statistikave.

Sipas këtij institucioni, kompanitë private gjatë këtij viti kanë patur më pak punë.

Raporti i fundit i INSTAT, mbi treguesin e realizimit të afarizmit, konstaton një rënie në tërësi prej 3.3 përqind, krahasuar me fundin e vitit 2009.

Sektori më problematik, që vijon të pësojë rënie të vazhdueshme është ndërtimi.

“Në sektorin e ndërtimit, volumi i shifrës së afarizmit ka një rënie prej 31.2 përqind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë të 2009-ës, rënia është 15.8 përqind”, thekson Instituti i Statistikave.

Situata duket e njëjtë edhe për sektorin e tregtisë, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009, rritja është 6.3 përqind.

Për bizneset, që merren me transport dhe komunikacion, situata ka rezultuar shqetësuese, me një rënie të aktivitetit me 3.8 përqind, krahasuar me tremujorin paraardhës dhe pa asnjë ndryshim në raport me vitin 2009.

Në sektorin e Shërbimeve, ku përfshihen degët Tregti, Hotele, Transport, Shërbime Informatike dhe Arkitekturore, u shënua 0.3 përqind rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, ka një rritje prej 6.3 përqind. Sektori, që ka shënuar rritje ka qenë ai i industrisë nxjerrëse, prej 18.3 përqind krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe 94.3 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Sektori me rritje ka qenë ai i energjisë elektrike, në të cilin konstatohet një rritje e eksportit të energjisë.

r.l/NOA

KOMENTE