English

Komisionet Parlamentare Diskutojne Nen Per Nen Projektligjin "Per Buxhetin E Vitit 2010".

TIRANE, 21 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Pas miratimit në parim, komisionet e përhershme të Kuvendit, morën sot në shqyrtim nen për nen projektligjin "Për disa ndryshime në ligjin "Për buxhetin e vitit 2010". Gjatë seancave, anëtarët e komisionit drejtuan pyetje ndaj përfaqësuesve të çdo institutcioni përkatës lidhur me sektorët që preken nga rishikimi i buxhetit. Në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, ILDKP, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykata Kushtetuese, Avokati i Populli shprehën opinionet dhe kërkesat tyre lidhur me shkurtimet e shpenzimeve të parashikuara në buxhetin për vitin 2010. Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit miratuan ndryshimet në buxhetin për të gjitha këto institucione. Përfaqësues nga Ministria e Arsimit prezantuan në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik sektorët e këtij dikasteri që preken nga rishikimi i buxhetit për vitin 2010. Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit miratuan nen për nen projektligjin për buxhetin për vitin 2010. Edhe komisioni i sigurisë miratoi nen për nen projektligjin për buxhetin, ku të pranishëm ishin përfaqësues nga Ministria e Brendshne, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ i Shtetit të cilët prezantuan opinionet dhe kërkesat e tyre lidhur me rishikimin e buxhetit. Ndërkohë, në Komisionin e Ekonomisë u shqyrtua nen për nen pjesa e buxhetit lidhur me investimet. Buxheti për vitin 2010, parashikon shkurtime të shpenzimeve në 39 miliardë lekë dhe në nivel të ardhurash në 27.3 miliardë lekë./n.m/
KOMENTE