English

Korce: Falsifikonin Dokumenta Zyrtare, Arrestohen 3 Shtetas

KORCE, 21 korrik/ ATSH- Behar Fejzulla /. - Policia e Korçës ka vënë në pranga tre shtetas, te cilet falsifikonin dokumente zyrtare. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë të Korçës, Eftiola Kacorri, bëri të ditur se, "pas një pune të mirëorganizuar nga Sektori Kundër Krimit Financiar, u finalizua me sukses operacioni i koduar "Viza e fundit", ku policia arrestoi në flagrancë shtetasit, Kostaq Gjoka, 43 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, Arben Gusho, 48 vjeç, lindur dhe banues po në qytetin e Korçës dhe Bujar Kuçi, 51 vjeç, lindur në Prizren, Kosovë dhe banues në Korçë". Arrestimi i tyre u bë për veprën penale "Falsifikim të dokumentave" si, letërnjoftime, pasaporta, viza, vula, etj. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin falsifikonin dokumenta të ndryshme shqiptare dhe greke, viza dhe vula të pikave të kalimit kufitar me Greqinë etj. Në momentin e arrestimit, policia kapi dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale tre pasaporta biometrike me viza greke të falsifikuara, një dokument identifikimi në gjuhën greke dhe të tjera, një njësi qendrore kompjuteri, sasi të konsiderueshme kartash plastike në formatin e kartave të identitetit dhe patentave, që përdorëshin për falsifikim, një kamer dixhitale, katër aparate celularësh, pajisje kancelarie, sasi të konsiderueshme lekë, dollarë dhe euro. /a.ke/
KOMENTE