English

Kore E Jugut - Shba Vendos Sanksione Të Reja Kundër Veriut

SEUL, 21 korrik /ATSH-AFP/ - Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton njoftoi sot sanskione të reja ekonomike dhe financiare ndaj Koersë së Veriut, me rastin e një vizite zyrtare në Seul. Clinton përmendi gjatë një konferene shtypi një sërë masash që kanë për qëllim "përmirësimin e aftësisë sonë për ndalimin e përhapjes së armëve bërthamore në Korenë e Veriut, t'i jepet fund veprimtarive të paligjshme që ndihmojnë në financimin e programeve të armatimit dhe pengimin e akteve të tjera të provokimit" Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë njoftuar një sërë manovrash ushtarake të përbashkëta në Detin e Verdhë dhe në Detin e Japonisë, për t'i dhënë një "mesazh të fortë" Phenianit. Seuli dhe Uashingtoni akuzojnë Korenë e Veriut, e cila e përgënjeshtron me forcë, se ka bombarduar më 26 mars anijen koreanojugore të luftës Chenoan pranë vijës së demarkacionit detar ndërkorean, duke shkaktuar vdekjen e 46 marinarëve koreanojugorë. Sanksionet e para të njoftuara nga Clinton synojnë blerjen dhe shitjen e armëve, por edhe të produkteve të lukset. Masat kundër tregtisë së produkteve të luksit synojnë të goditet drejtpërdrejt udhëheqja e regjimit, shtoi më tej një zyrtar amerikan. Departamenti i shtetit dhe i Thesarit do të ngrijnë pasuritë e entiteteve të tjera dhe të individëve, dhe do të "do ndërmarrin përpjekje të tjera për t'i penguar disa shoqëri koreanoveriore që kanë veprimtari të paligjshme të veprojnë jashtë vendit dhe të përdorin shërbime bankare. Fakti që shumica e këtyre entiteteve dhe individëve nuk kanë llogari bankare në Shtetet e Bashkuara ka pak rëndësi, shpjegoi një diplomat amerikan. Bankat e tyre nuk do të jenë më pak të kujdesshme ndaj rreziqeve lidhur me reputacionin e tyre, shpjegoi ai. Uashingtoni do të përpiqet gjithashtu të pengojë udhëtimet jashtë vendit të "agjentëve koreanoveriorë të përhapjes së armëve bërthamore". Më në fund Shtetet e Bashkuara do të bëjnë presion mbi disa vende që ato të mos blejnë nga Koreja e Veriut dhe të mos i shesin asaj mallra lidhur me përhapjen e armëve bërthamore. Koreja e Veriut, vend me ekonomi të dobët, është ndëshkuar tashmë disa herë nga sanksione ndërkombëtare që prej dy provave të saj bërthamore të viteve 2006 dhe 2009. Pheniani është larguar nga bisedimet gjashtëpalëshe ku marrin pjesë Shtetet e Bashkuara, dy Koretë, Kina, Rusia, Japonia, në prill të vitit 2009, pas një goditjeje të shumëpërfolur me raketë të ndëshkuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Ky dialog, i filluar në vitin 2003, synon ta bindë vendin të heqë dorë nga programet e tij bërthamore. /I.Pu.
KOMENTE