English

Kosovë-Aak Deklaron Se Është E Befasuar Me Vendimin E Tribunalit Të Hagës

PRISHTINË, 21 Korrik/ATSH-B.Jashari/.- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) deklaroi sot se është E befasuar me vendimin e Tribunalit të Hagës për rigjykimin e pjesshëm të liderit të saj, Ramush Haradinaj, i cili është ndalur në paraburgim paraditen e sotme në Hagë. "Lajmi për rihapjen e pjesshme të gjykimit të Ramush Haradinajt, Kryetarit të AAK-së, është një lajm shumë i keq për AAK-në, për qytetarët e Kosovës për shtetin e Kosovës", thuhet në deklaratë. Më tej, theksohet se "AAK është tejmase e befasuar me vendimin e Tribunalit të Hagës, kur dihet që me një vendim unanim të Shkallës së Parë të këtij Tribunali, më 3 prill 2008, Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm nga të gjitha akuzat ". Sipas AAK-së, "si në marsin e vitit 2005, kur u shpall Aktakuza e Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, ashtu edhe tani, në korrikun e vitit 2010, kur u mor vendimi për rihapjen e pjesshme të Gjykimit të Haradinajt, Kosova përballet me sprova të mëdha politike dhe të sigurisë". "AAK është e bindur që proceset politike në Kosovë, veçmas ato që do të pasojnë në vijim të shpalljes së qëndrimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, këtë të enjte, më 22 korrik do të dëmtohen thelbësisht", thuhet në deklaratë. "AAK është e sigurtë që ashtu sikurse herën e parë edhe tani në rigjykimin e pjesshëm që do të pasojë shpresojmë sa më parë se Ramush Haradinaj, Kryetari i AAK-së, të shpallet plotësisht i pafajshëm", thuhet në deklaratën e prezantuar nga nënkryetari i parë i partisë, Blerim Shala, gjatë një konferencë të jashtëzakonshme shtypi. /a.s/
KOMENTE