Kosovë-Haradinaj Ndalet Në Paraburgim Në Hagë, Reagon Mbrojtja E Tij
PRISHTINË, 21 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Dhoma e apelit e Tribunalit të Hagës për krime lufte vendosi sot rigjykim dhe mbajtjen në paraburgim për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Radio Televizioni i Kosovës bëri të ditur se "Gjykata për krime lufte në ish-Jugosllavi në Hagë vendosi shfuqizimin e mëparshëm dhe nisjen e një procesi të ri duke mbajtur në paraburgim Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, deri në marrjen e një vendimi tjetër".
Përmes zyrës së shtypit të Aleancës Për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Koordinator i Ekipit të Mbrojtjes në Procesin e Ramush Haradinaj, Michael O'Reilly, deklaroi sot se "Haradinaj konfirmoi se më e rëndësishme është opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të Kosovës ".
Ish-kryeministri tha se "duhet të garantohet ecja e Kosovës në procesin e integrimit në bashkësinë e kombeve dhe se zhvillimet e fundit rreth rastit të tij duhet të shihen në një kontekst më të gjerë".
"Kosova ka bërë progres të madh dhe ne duhet të vazhdojmë të besojmë në institucionet ndërkombëtare", shtoi Haradinaj.
Mbrojtësi i Ramush Haradinajt, Oreilly, shprehet i befasuar me vendimin e sotëm. "Kjo është diçka që nuk e kemi parashikuar duke patur parasysh lirimin e tij të padyshimtë dhe unanime të dy viteve më parë", tha Oreilly.
"Për ne tani çështjet më me rëndësi janë së pari, që të sigurojmë kthimin e shpejtë të Haradinajt në Kosovë dhe së dyti të caktohet sa më shpejt data e rigjykimit të pjesshëm", përfundoi ai.
Oreilly konfirmoi se nesër do të dalë edhe me një komunikatë tjetër pasi ekipi mbrojtës të ketë shqyrtuar të gjithë materialin. /a.s/