English

Kryebashkiaku Rama inspektoi punimet në bllokun e banimit 61, në periferi të Tiranës

Tiranë, 21 korrik, NOA - Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e infrastrukturës në Bllokun nr.61, me një sipërfaqe pune prej 30 ha, që kufizohet nga rrugët “Qemal Stafa“, “Bajram Curri“, Rruga e Dibrës dhe Oxhaku.

Duke iu referuar këtij blloku banimi që shtrihet në pjesën veri-lindore të kryeqytetit, kryetari i Bashkisë, Edi Rama tha se “Pas shumë përpjekjeve me komunitetin e kësaj zone, për të bërë të mundur sëbashku çlirimin e akseve dhe hapësirave, në mënyrë që të vinim tek risistemimi i plotë me rrugë të reja dhe rikonstruksion rrugësh të vjetra”.

Kryebashkiaku Rama theksoi për mediat se “sot jemi në fazën përmbyllëse të një pune realisht të vështirë, por të domosdoshme, në mënyrë që një territor i tërë i përfshirë nga disa lagje të kësaj periferie, të mund të integrohet në Tiranën e re europiane, me rrugë, ndriçim, hapësira të përbashkëta publike, të cilat do t’i rikualifikojmë për t’i kthyer në lulishte e territore sportive për moshat e ndryshme, që secili të ketë pjesën e vet të hapësirës së përbashkët dhe i gjithë ky komunitet realisht i gjerë njerëzish, të mund të jetojë me kushtet që dëshiron dhe meriton”.

Sipas Ramës me rikualifikimin urban në këtë bllok banimi i jepet mundësi elaborimit të një plani të veçantë ndërhyrjeje në infrastrukturë, duke përmirësuar cilësinë e jetës së komunitetit.

Ky program rikualifikimi realizon vazhdimësinë e përdorimit të zonave pedonale dhe njëkohësisht integrimin e aktiviteteve të përditshme të banorëve, me mjedisin ku ata jetojnë.

Ai përfshin gjithashtu ndërhyrjen në të gjithë rrjetin e nëndheshëm të infrastrukturës inxhinierike, realizimin e hapësirave për parkim, ndërhyrjen e plotë në ndriçimin rrugor dhe pedonal si dhe gjelbërimin e sipërfaqeve të lulishteve e rrugëve me pemë dekorative.

Kryebashkiaku Rama nënvizoi se me rikontruksionin e Bllokut 61, është realizuar edhe një tjetër ndërhyrje e sukseshme sa i përket transformimit rrënjësor të territoreve të banimit, me interes publik, ku blloku Blloku 61 përfiton hapësirat e tij të nevojshme, për zgjidhjen e emergjencave sociale dhe për shërbimet në të gjithë territorin.

mit/NOA

KOMENTE