Kukes: Ethet Hemoragjike, Semuret Nje 14-Vjecar
KUKES, 21 korrik/ATSH-R.Hoxha/. - Pas një muaji heshtjeje, sërish në zonën verilindore po rishfaqen ethet hemoragjike.
"Dje nga rrethi i Hasit ka ardhur në spitalin civil të qytetit të Kukësit një djalë 14 vjecar me simptomat e sëmundjes dhe pas analizave të kryera, ka rezultuar i prekur nga kjo sëmundje", tha per ATSH-ne drejtori i shëndetit publik, Nikolin Martini.
Sipas tij, 14-vjeçari kërkoi ndihmën e mjekëve menjëherë, ndaj gjendja e tij është nën kontroll dhe po kurohet në spitalin infektiv të qytetit.
Sëmundja e etheve hemoragjike në rrethet e Kukësit e të Hasit u shfaq në muajin qershor, ku u regjistruan 12 raste, prej të cilave, një grua nga rrethi i Hasit humbi jetën, edhe pse u dërgua për kurim në spitalin e Prishtinës. Për parandalimin e përhapjes së sëmundjes u bë edhe dezinfektimi i zonave të prekura, gjë që solli edhe eliminimin e saj. Pas një muaji, ky është rasti i parë i shfaqjes së sëmundjes.
Ethet hemoragjike kanë burimin e infeksionit te kafshët e insektet, veçanërisht nga rricnat, që në këtë periudhë gjallojnë në të gjitha mjediset. Kjo sëmundje jep temperaturë, ethe dhe hemoragji të brendshme dhe nëse nuk kurohet me shpejtësi, mund të shkaktojë deri edhe vdekjen. /a.ke/