Kukës:Vidhen 18 Regjistra Të Shkollës, Dyshohet Se Autor Është Roja
KUKËS, 21 korrik/ATSH-R.Hoxha/.- 18 regjistra të vitit shkollor 2204-2005, të shkollës 9-vjeçare të Morinit në rrethin e Kukësit janë konstatuar të humbur nga drejtori i saj, Ali Sylaj.
Menjëherë për ngjarjen e rëndë drejtori Sylaj ka lajmëruar policinë, e cila ka nisur hetimin e ngjarjes së rëndë, që rrallë ka ndodhur në sistemin arsimor të këtij rrethi.
"Sipas drejtorit të shkollës, dyshimet më të mëdha bien ndaj rojes së shkollës, shtetasit Ramadan Sylaj, 46 vjec, banor i fshatit, pasi në këtë kohë në shkollë nuk janë vërejtur lëvizje të personave të tjerë", thotë zëdhënësja e drejtorisë së policisë së qarkut Kukës, Odeta Popa.
Sipas saj, ndaj tij ka nisur çështja penale për akuzën e vjedhjes së regjistrave, ndërsa po hetohet për shkaqet që e kanë çuar atë në këtë akt./a.s/