English

Meta: Akuzat ndaj Priftit, sulm politik i vjetër i Ramës

Tiranë, 21 korrik, NOA – Zëvendëskryemnistri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta pas kthimit nga Afganistani, ka mbrojtur sot ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti, duke i quajtur akuzat e Partisë Socialiste dhe të lidershipit të saj Rama si sulme politike ndaj LSI-së.

Duke iu referuar akuzave të ditëve të fundit të PS-së, mbi pasurinë e Ministrit të Ekonomisë, Turizmit dhe Energjitikës, Drita Prifti dhe aferave korruptive të tij, zëvendëskryeministri Ilir Meta theksoi se “akuzat tregojnë pikërisht atë se lidershipi i PS-së ndodhet në krizë të madhe dhe se PS është tërësisht e çorientuar”.

“Të gjitha akuzat ndaj Priftit tregojnë shumë thjeshtë se është një sulm politik, tregojnë krizë të madhe të lidershipit të Partisë Socialiste, i cili është çorientuar tërësisht dhe në vend se të fokusohet te reforma zgjedhore merret me çështje që ministri Prifti i ka sqaruar vetë duke kërkuar të hetohet pasuria e tij”, deklaroi zëvendëskryeministri Meta.

Zëvendëskryeministri Meta tha se ministri Prifti i kishte shitur aksionet kur mori postin e ministrit të Ekonomisë, dhe ky sipas Metës është një veprim për tu përshëndetur dhe jo kundërshtuar, sikundër po bën PS.

Sipas Metës kjo xhelozi e Ramës ka qenë më e hershme ndaj ministrit Prifti, por jo vetëm, pasi sulmi nënkuptohet indirekt si një sulm politik ndaj LSI-së, dhe kreut të saj Ilir Meta, i cili ka baza më të hershme se zgjedhjet e 28 qershorit.

mit/NOA

KOMENTE