Tiranë, 21 Korrik 2010 NOA – “Ne kemi një politikë tonën, e cila është një politikë që në përgjithësi i mbështet dekretet e Presidentit sepse mendojmë se si institucioni përgjegjës për të promovuar kandidatura të caktuara në nivelet më të larta të gjyqësorit, ka bërë verifikimet e duhura dhe kjo është një politikë e hapur”.
Kështu pohoi sot z.Ilir Meta, duke folur lidhur me votimin për dekretet e Presidentit. Meta theksoi se “ne nuk votojmë pro Partisë Demokratike, apo kundër Partisë Demokratike, apo kundër apo pro Partisë Socialiste”. Kurse pranoi se “në rast se do të kishin qenë deputetët e Partisë Socialiste në Parlament, aritmetika është e thjeshtë: gjyqtarët do të ishin zgjedhur”.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta bashkëbisedoi sot me gazetarët pas kthimit nga Konferenca Ndërkombëtare e Kabulit.
Z.Meta ju morët pjesë në një konferencë ndërkombëtare në Afganistan. Cili ishte qëllimi i kësaj konference?
Konferenca Ndërkombëtare e Kabulit ishte një aktivitet shumë i rëndësishëm, në mbështetje të përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për stabilizimin e situatës në Afganistan.
Ajo çka është më e rëndësishme, është fakti që një Konferencë e përmasave të tilla, ku merrnin pjesë personalitete te larta ndërkombëtare, u organizua krejtësisht nën kujdesin e Qeverisë afgane.
Konferenca e Kabulit është tregues i një faze të re të bashkëpunimit midis palës afgane dhe komunitetit ndërkombëtar, e cila do të ofrojë një mundësi unike për të forcuar partneritetin ndërkombëtar me qëllimin final arritjen e një Afganistani të stabilizuar dhe në afatgjatë të fortë dhe të begatë.
Komuniteti Ndërkombëtar dhe Qeveria e Afganistanit shprehën përkushtimin e tyre të përbashkët ndaj popullit afgan, si një shenjë e rinovimit të partneritetit të tyre në shërbim të sigurisë, prosperitetit dhe demokracisë në Afganistan.
Arritjet dhe konkluzionet kryesore të kësaj konference ishin hartimi dhe miratimi i planeve dhe strategjive të reja që kanë të bëjnë me riintegrimin, ripajtimin dhe procesin e tranzicionit, i cili nënkupton marrjen e përgjegjësive nga pala afgane.
Në ndërhyrjen time gjatë Konferencës, rikonfirmova angazhimin e Shqipërisë për arritjen e objektivave të Komunitetit Ndërkombëtar në Afganistan si edhe ritheksova mbështetjen për përpjekjet e Qeverisë afgane për stabilizimin dhe zhvillimin e Afganistanit. Në kuadër të Strategjisë së re për Afganistanin, shpreha edhe njëherë vendosmërinë tonë për kontribute shtesë me 44 trupa luftarake, trajnues të ushtrisë dhe policisë kombëtare afgane, si edhe akordimin e 100 bursave studimore për studentë afganë.Në përfundim të ndërhyrjes sime shpreha edhe njëherë vendosmërinë tonë për të qenë të pranishëm në Afganistan, përkrah Aleatëve, deri në stabilizimin e plotë të Afganistanit.
Zyrtarët më të lartë të institucioneve ndërkombëtare dhe të Qeverisë afgane vlerësuan kontributin e Shqipërisë dhe angazhimin tonë për të ardhmen.
Ditët e fundit është ashpërsuar ndjeshëm gjuha midis Ministrit të Ekonomisë z. Prifti dhe Kryetarit të Partisë Socialiste z. Rama, duke bërë deklarata të cilat ne në fakt nuk i kishim dëgjuar më parë. Si ju duken këto lloj qëndrimesh që janë mbajtur për këtë dhe cili ka qenë roli juaj?
Dua të deklaroj se nuk kam patur asnjë rol në këtë debat, të cilin më tepër e kam ndjekur përmes sms-ve dhe internetit, pasi vetë fluturimet për në Afganistan dhe në Kazakistan e kanë bërë të pamundur ndjekjen e një debati të tillë. Por mund tju them me keqardhje se xhelozia dhe fobia e z. Rama ndaj z. Prifti janë të vjetra, nuk janë të reja.
Së dyti, sulmet e Partisë Socialiste janë vërtet shumë banale dhe shumë denigruese. Ju të gjithë e dini se të gjithë ata që janë në pozita të larta shtetërore dhe që marrin detyra të rëndësishme shtetërore, duhet të tregojnë kujdes për sa i takon konfliktit të interesit. Besoj se z. Prifti e ka sqaruar vetë, sikurse edhe e ka thënë që është diplomuar në Harvard dhe nuk ka nevojë për avokat, që në detyrim të zgjidhjes së çdo konflikti interesi është përpjekur për ti shitur aksionet e tij, të cilat kanë qenë të deklaruara përpara se ai të merrte detyrën e Ministrit që kur ka qenë në opozitë. Mendoj se ky është një veprim për tu përshëndetur, jo për tu kritikuar nga ana e Partisë Socialiste.
Gjithashtu dëgjojmë edhe një absurditet tjetër, që ortaku i cili ka marrë këto aksione, sipas Partisë Socialiste, qenka kushëri i Petrit Vasilit, Ministrit të Shëndetësisë, dhe ky paska marrë pjesë në tenderët që bën Ministria e Shëndetësisë apo QSUT-ja për çështjen e ilaçeve. Kjo është thjesht një përpjekje diabolike për të krijuar një klimë denigruese dhe të pandershme, pasi me sa u interesova edhe vetë, ky person merret me këtë aktivitet farmaceutik prej 15 vitesh dhe njëkohësisht në këtë kompani që është një ndër më të njohurat në vend, ai është një ndër tre aksionarët, duke marrë pjesë në këtë lloj aktiviteti shumë kohë përpara se z. Vasili të bëhej Ministër i Shëndetësisë.
Pra të gjitha këto së bashku, deri dhe me pikëpyetje të tilla absurde, pra që z. Prifti ia paska shitur aksionet këtij biznesmeni, sepse nuk e di se kush do t’i merrte këto aksione, sigurisht që një biznesmen do ti merrte, tregojnë shumë thjesht që këtu kemi të bëjmë me një sulm politik, kemi të bëjmë me një krizë të madhe të lidershipit të kësaj force politike, krejtësisht e çorientuar, e cila në vend që të përqendrohet tek reforma zgjedhore për të çuar përpara edhe projektet e saj për transparencën duke përmirësuar Kodin Zgjedhor dhe duke përmirësuar rregullat ekzistuese me të cilat bëhen zgjedhjet në Shqipëri, pra merret me çështje për të cilat z. Prifti më duket se ka bërë thirrje që të investohen organet përkatëse, institucionet shtetërore. Partia Socialiste duhet ti ndjekë akuzat e saj në këtë rrugë. Për mua ky nuk ishte një konflikt i ri; konflikti Rama-Prifti është një konflikt i vjetër që kur kanë qenë të dy në Partinë Socialiste.
Ju keni dhënë votën pro të gjitha kandidaturave të propozuara nga Presidenti i Republikës për Gjykatën e Lartë, ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i Partisë suaj shprehu qëndrimin e LSI ndaj ndryshimit të ligjit të SHISH-it në rast se nuk do të kishte miratimin e partnerëve ndërkombëtarë. Në rast se ngremë një hipotezë dhe themi se Partia Socialiste do të kishte marrë pjesë në Parlament gjatë votimit të Dekreteve, shumica e votave do të kishte kaluar në krahun tjetër, pra PS-LSI. Ka ndonjë gjë këtu, apo është thjesht spekulim të mendosh që mund të ketë diçka brenda Mazhorancës? Çfarë sinjalesh i jepni ju Partisë Demokratike me këto dalje kundër publikisht?
Ne kemi një marrëveshje me Partinë Demokratike, e cila është publike, dhe ne i kemi qëndruar dhe do t’i qëndrojmë marrëveshjes deri në fund për të gjitha çështjet që të dy palët kanë rënë dakord të punojnë së bashku. Lidhur me votimin për Dekretet e Presidentit e kam theksuar edhe më parë, sikurse dhe z. Luan Rama e ka theksuar, që ne nuk votojmë pro Partisë Demokratike, apo kundër Partisë Demokratike, apo kundër apo pro Partisë Socialiste. Ne kemi një politikë tonën, e cila është një politikë që në përgjithësi i mbështet Dekretet e Presidentit sepse mendojmë se si institucioni përgjegjës për të promovuar kandidatura të caktuara në nivelet më të larta të gjyqësorit, ka bërë verifikimet e duhura dhe kjo është një politikë e hapur. Në rast se do të kishin qenë deputetët e Partisë Socialiste në Parlament, aritmetika është e thjeshtë: gjyqtarët do të ishin zgjedhur!Për sa i përket ligjit për SHISH-in, përsëri nuk duhet të krijojmë keqkuptime të paqena. Më duket se z. Rama, pra Luani, është shprehur shumë qartë, se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s prej një viti, dhe ka përmbushur me shumë sukses gjatë vitit të parë të saj pas anëtarësimit, të gjitha detyrimet si vend anëtar i Aleancës. Më duket se ai është shprehur shumë qartë se bashkëpunimi në luftën kundër terrorizimit është një prioritet madhor në raportet Shqipëri-NATO dhe në këtë drejtim, dhe e njëjta gjë vlen edhe për bashkëpunimin në fushën e shërbimeve inteligjente. Unë e kam thënë me kohë se ligji ka nevojë për ripërtëritje në përputhje me Kushtetutën, në përputhje me shumë aspekte të tjera, dhe kjo nuk është një gjë e re.
Njëkohësisht, të gjithë e dinë se si një vend që tashmë është anëtar i NATO-s, Shqipëria ka një detyrim edhe për sa i përket rishikimit të ligjeve që kanë të bëjnë me forcat e armatosura, që kanë të bëjnë me shërbimin inteligjent, të konsultohet me NATO-n në mënyrë që të përmbushë detyrimet e saj dhe të arrijë standardet e kërkuara, të cilat burojnë tashmë nga anëtarësimi. E njëjta gjë vlen dhe në raport me Bashkimin Evropian, përderisa synojmë të anëtarësohemi në të. Ne kemi për detyrim, që për çdo ligj që ka të bëjë me fushën ku shtrihen marrëdhëniet tona me BE-në, ne të verifikojmë nëse legjislacioni ynë është apo jo në përputhje me legjislacionin e këtij komuniteti.
Kanë mbetur vetëm dy seanca plenare nga mbyllja e sesionit parlamentar. Ju si aleati kryesor në koalicionin qeverisës, a besoni se jeni afër arritjes së një marrëveshjeje për ngritjen e një Komisioni përpara mbylljes së sesionit?
Ne mezi po presim për këtë. Kemi një vit që kemi kërkuar të ngrihet Komisioni Hetimor, që të bëhet transparenca, dhe të gjithë e kanë bërë të qartë që kërkojnë respektimin e Kushtetutës dhe pavarësinë e gjyqësorit. Shpresojmë që kjo situatë e pakuptimtë të kalohet sa më shpjet dhe të ecet përpara. Ndërkohë, gjej rastin edhe një herë tjetër të bëj thirrje që të fillohet puna për reformën zgjedhore, sepse transparenca garantohet me ligj.
A ka sinjale konkrete?Mezi po presim që të zgjidhet që sot, jo vetëm brenda këtij sesioni, se duhet të ishte zgjidhur me kohë. Jemi shumë vonë.
A ka mundësi të zgjidhet që sot?
Kjo është çështje vullneti, dhe nga ana e mazhorancës vullneti ka ekzistuar që në shtator, për ta krijuar këtë Komision, për ti dhënë Partisë Socialiste shumicën dhe kryetarin e tij, dhe për të ofruar çdo gjë që është në dorë të mazhorancës.
Por jo për të mbajtur të padjegura fletët e votimit?
Kjo është një çështje të cilën e vendos Gjykata. Ne duhet ti respektojmë Gjykatat, edhe kur na pëlqejnë, por edhe kur nuk na pëlqejnë në vendimet e tyre. Kjo është demokracia.
FUND