Shkup, 21 Korrik, NOA – Analistët dhe njohësit e zhvillimeve në Maqedoni thonë se pavarësisht nga vendimi i GJND-së, Shkupi nuk do të ndryshojë asgjë nga vendimi që ka marrë për të njohur Kosovën.
"Ajo që është bërë është bërë. Nuk ka kthim prapa, sidomos për shkak se vendimi për njohjen e Kosovës është marrë në koordinim të ngushtë me fuqitë e mëdha ndërkombëtare që janë partnerë të rëndësishëm strategjik të Maqedonisë", deklaroi Slagjan Penev, drejtori i Forumit dhe Qendrës për Studime Strategjike.
Sipas Penev, pasojat rajonale nga zhvillimet në Kosovë do të varen nga kredibiliteti i NATO-s dhe i diplomacisë amerikane.
“Në qoftë se politika e tyre është e përqendruar, ata mund të arrijnë një lloj zgjidhje për Kosovën dhe të vazhdojnë ti mbajnë gjërat nën kontroll në Maqedoni, Bosnje dhe Serbi", pohon ai.
Ndërkaq, kryetari i Organizatës për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE), Muhamer Pajaziti thotë se opinioni i GJND nuk do të ketë pasoja në Maqedoni, por edhe në vende tjera të rajonit.
“Maqedonia, por edhe vendet tjera të rajonit nuk ka gjasa ta tërheqin vendimin e tyre për njohjen e Kosovës. Kjo për faktin se pavarësia e Kosovës ka ndihmuan paqen dhe stabilitetin në rajon si dhe ka intensifikuar bashkëpunimin rajonal, përjashtuar këtu Serbinë e cila me veprimet e saja, gjithmonë ka penguar këtë bashkëpunim dhe perspektivën euroatlantike të rajonit”, thotë Pajaziti.
Pajaziti thekson se, vendet e rajonit por edhe faktori ndërkombëtar duhet ta bindin kreun shtetëror serb, që sa më parë ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Sipas tij, ky akt do t’i kontribuonte paqes në rajon si dhe do të përshpejtonte rrugën e vendeve të rajonit drejtë integrimeve në BE dhe NATO.
"Serbia medoemos duhet të respektojë parimin e fqinjësisë së mirë, nëse synon të integrohet në strukturat euroatlantike",shton ai.
Ndërkohë, dje edhe zv/kryeministri i Maqedonisë, Ademi, deklaroi se sido që të jetë opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Shkupi nuk do të ndryshojë asgjë nga vendimi që ka marrë. "Në fund të fundit, sido që të jetë vendimi për Maqedoninë nuk do të ketë pasoja. Nuk do të ndikojë në vendimin tonë për pavarësinë, të cilën ne e kemi njohur", ka thënë Ademi. Ai ka mohuar zërat se Beogradi zyrtar po i bën presion Shkupit që pas vendimit të GJND së të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës.
NOA-INA