Përfundon Pas Afro Një Ore Takimi Patozi- Ruçi Per Situatën Politike
TIRANË, 21 Korrik/ATSH/ -Krerët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi zhvilluan sot në mbrëmje një takim kokë më kokë, ku për afro një orë diskutuan për zgjidhjen e situatës politike në vend.
Takimi i tyre, që shënon të dytin brenda harkut kohor të një jave, u zhvillua në kryesinë e Kuvendit pa praninë e medias dhe në përfundim të tij, përfaqësuesit e dy forcave politike u larguan nga kryesia e Kuvendit, pa dhënë prononcim për mediat.
Këto takime, vijnë pas rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë, e cila kërkon nisjen e dialogut rreth ngritjes së komisionit parlamentar, që do të hetojë zgjedhjet e 28 qershorit, një çështje kjo e shumëdebatuar, që po mban peng prej një viti bashkëpunimin mes dy partive kryesore.
"Maxhoranca është e gatshme të pranojë çdo pretendim të opozitës në respektim të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit", deklaroi një javë më parë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, pas takimit dy orësh me homologun socialist, Gramoz Ruçi, në kuadër të negociatave për zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Ndërsa nga ana e përfaqësuesve të Partisë Socialiste, është kërkuar hapja e kutive të votimit për këto zgjedhje./ a.m//n.m/