Potencialet E Turizmit Shqiptar Në Një Seminar
TIRANË, 21 Korrik/ATSH-Suada Daci/- Zhvillimi i turizmit dhe potenciali që ai ka në punësimin, mirëqënien dhe proçesin e integrimit europian të vendit u diskutuan sot në seminarin e organizuar nga ITB Consulting në bashkëpunim me Schaefer Mobility Group, Bonn Akademie Neue Medien, Munich dhe Ministrinë e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve.
ITB Consulting, në bashkëpunim me Schaefer Mobility Group, Bonn Akademie Neue Medien, Munich prezantuan sot projektin " Forcimi i Edukimit dhe Formimit Profesional në sektorin e Turizmit në Shqipëri", i cili synon të vendosë baza të qëndrueshme në lidhjen ndërmjet sistemit të edukimit me tregun e punës, si dhe të përmirësojë trajnimin e trajnerëve të formimit profesional në sektorin e turizmit dhe infrastrukturën e edukimit.
Duke lexuar përshëndetjen e Ministrit të TKRS-së, Ferdinand Xhaferraj, zv/ministri Nikollë Lesi tha se, "rritja cilësore profesionale e të gjitha llojeve të shërbimeve kërkon kualifikim të burimeve njerëzore, i cili është një element specifik i 9 fushave prioritare të strategjisë të turizmit".
Sipas tij, "në Shqipëri ka disa universitete shtetërore që kanë degë të tyre turizmin, si dhe një shkollë e mesme "Hoteleri Turizëm" në Tiranë, pa përmendur universitetet apo shkollat private për këtë degë në Shqipëri".
Duke folur për sistemin pasuniversitar në bashkëpunim me MASH dhe fakultetin e Histori-Filologjisë, Lesi artikuloi se "kanë përfunduar proçedurat për hapjen për herë të parë të kursit njëvjeçar për përgatitjen e guidave turistike, të specializuar si faktor kyç për arritjen e suksesit në turizëm".
"Përsa i përket arsimit të mesëm është arritur që turizmi të përfshihet si lëndë me zgjedhje për ciklin 9 vjecar. Për këtë ka nisur bashkëpunimi me MASH në hartimin e një moduli të kërkimit për turizmin, si dhe trajnimi i mësuesve të këtij niveli", tha ai, ndërsa shtoi se, "në funksion të përmirësimit të turizmit është dhe sistemi i grumbullimit dhe përpunimit të të dhënave statistikore, hapja në disa qarqe e zyrave të para të shërbimit turistik për t'i shërbyer ankesave të turistëve".
Duke vënë në dukje disa mungesa në sektorin e turizmit, Lesi tha se "ka neglizhencë të sipërmarrësve apo administratorëve për të mbajtur një nivel të lartë shërbimesh me qëllim kënaqjen e klientit dhe rritjen e vlerës të shërbimit për turistët.
Po ashtu, nuk mund të lejohet të vazhdohet më vendosja e yjeve në hotele, në mënyrë vullnetare nga privatët, ndërkohë që për klasifikimin e tyre duhet krijuar një bord i fushës së turizmit".
Ndërsa, zv/ministri i MASH, Halit Shamata tha se arsimi dhe formimi profesional mbetet një prioritet i qeverisë, por dhe një sfidë e sistemit tonë arsimor.
"Reforma e arsimit dhe formimit profesional që ne kemi ndërrmarrë është një reformë sistematike, që tenton të prekë tërë sistemin e arsimit dhe formimit profesional dhe që synon cilësinë e shërbimit arsimor, për të krijuar lidhje të qëndrueshme me nevojat e tregut të punës", tha Shamata.
Duke i konsideruar potencialet turistike të vendit një burim i rëndësishëm i punësimit dhe mirëqënies, Shamata tha se, "ne jemi përpjekur të përshtasim edukimin me resurset e kësaj industrie të rëndësishme të së tashmes dhe të së ardhmes së vendit tonë".
"Në të gjithë vendin funksionojnë 12 shkolla ose profile turistike, ku më të rëndësishmet janë ato në Durrës, Tiranë dhe Sarandë, por profile turistike kemi dhe në Shkodër, Kavajë, Elbasan, Vlorë, etj", u shpreh zv/ministri i MASH.
Pjesëmarrës në këtë seminar ishin përfaqësues të operatorëve të turizmit, dhomat e tregtisë dhe industrisë, organizata jo qeveritare etj./a.s/