Ps: Keqardhje Që Meta Justifikon Priftin
TIRANË, 21 Korrik/ATSH/.- Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka reagoi të mërkurën ndaj deklaratave të sotme të zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta në mbrojtje të ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti.
"PS shpreh keqardhje për mënyrën krejt banale, me të cilën zv/kryeministri i këtij vendi në krizë ekonomike, justifikon 1.8 milionë eurot fitim të një ministri, që pasurohet si biznesmen me detyrën shtetërore flet si rrugaç duke turpëruar shtetin dhe qëndron në detyrë për të mundësuar tjetërsimin deri në fund të pronave të shtetit në prona private të familjeve të pushtetit", deklaroi deputetja Xhaçka.
Ministri Meta gjatë një konference të sotme për shtyp i cilësoi "një sulm të vjetër politik" akuzat e PS-së në adresë të ministrit Prifti. "Akuzat e PS-së tregojnë se lidershipi i saj është në krizë të madhe dhe PS është e çorientuar tërësisht", deklaroi sot ministri Meta. /a.s//n.m/