English

Qeveria: Rigjykimi i Haradinajt, UÇK bëri luftë të drejtë

Prishtinë, 21 Korrik, NOA – Qeveria e Kosovës, përmes një deklarate për shtyp, ka shprehur shqetësimin e saj mbi procesin e rigjykimit ndaj Ramush Haradinajt dhe luftëtarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata e Hagës.

“Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për këtë vendim të gjykatës, mirëpo është e bindur se Haradinaj do të dëshmojë pafajësinë e tij në rigjykimin e pjesshëm, ashtu si në rastin e gjykimit të tij në këtë gjykatë, e cila e kishte shpallur i pafajshëm”, thuhet në këtë deklaratë.

Duke shtuar, se qeveria e Kosovës rithekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë të drejtë për liri dhe demokraci, për mbrojtjen e vlerave të qytetërimit, dhe ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare të luftës.

"Institucionet, qytetarët e Republikës së Kosovës dhe vetë Haradinaj kanë dhënë provat e bashkëpunimit dhe të besimit në drejtësinë ndërkombëtare, një gjë e cila po rikonfirmohet edhe në rastin aktual”, shtojnë më tej autoritetet e larta të qeverisë kosovare.

E në fund, ata u bëjnë thirrje qytetarëve që të kenë besim në drejtësinë ndërkombëtare, duke shprehur besimin e plotë se të bashkuar do t’i tejkalojnë të gjitha sfidat, për çka qeveria jep garancinë e duhur.

n.e/NOA

KOMENTE