Rama Inspekton Fazën Përmbllëse Të Punimeve Në Bllokun 61
TIRANË 21 Korrik/ATSH, Gjergji Mima/ - Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e infrastrukturës në Bllokun nr.61 (kufizuar nga rrugët "Qemal Stafa"- "Bajram Curri" - Rruga e Dibrës - Oxhaku), në veri-lindje të kryeqytetit, pjesë e territorit të Njësisë Bashkiake nr.4, ku sipërfaqja që po trajtohet është 30 hektarë.
"Pas shumë përpjekjeve me komunitetin e zonës për të bërë të mundur sëbashku çlirimin e akseve dhe hapësirave, në mënyrë që të vinim tek risistemimi i plotë me rrugë të reja dhe rikonstruksion rrugësh të vjetra, sot jemi në fazën përmbyllëse të një pune realisht të vështirë, por të domosdoshme", tha Rama.
Sipas tij, një territor i tërë i përfshirë nga disa lagje të kësaj periferie, mund të integrohet në Tiranën e re europiane, me rrugë, ndriçim, hapësira të përbashkëta publike, të cilat do t'i rikualifikojmë për t'i kthyer në lulishte e territore sportive për moshat e ndryshme.
"Secili do të ketë pjesën e vet të hapësirës së përbashkët dhe i gjithë ky komunitet realisht i gjerë njerëzish, të mund të jetojë me kushtet që dëshiron dhe meriton", u shpreh Kryebashkiaku Rama
Sipas Bashkisë së Tiranës, me rikualifikimin urban në këtë bllok banimi, jepet mundësia e përpunimit të një plani të veçantë ndërhyrje në infrastrukturë për të përmirësuar cilësinë e jetës së komunitetit. Ky program rikualifikimi realizon vazhdimësinë e përdorimit të zonave pedonale dhe njëkohësisht integron aktivitetet e përditshme të banorëve, me mjedisin ku jetojnë.
Sipas Bashkisë, rikualifikimi urban përfshin ndërhyrjen në të gjithë rrjetin e nëndheshëm të infrastrukturës inxhinierike, realizimin e hapësirave për parkim, ndërhyrjen e plotë në ndriçimin rrugor dhe pedonal, gjelbërimin e sipërfaqeve të lulishteve e rrugëve me pemë dekorative. Me rikontruksionin e Bllokut 61 realizohet një tjetër ndërhyrje për transformimin rrënjësor të territoreve të banimit, me interes publik.
Perspektivat e zhvillimit dhe transformimeve urbanistike të realizuara në vite, përbëjnë një nga prioritetet e politikave urbane të Bashkisë. Bashkimi i politikave europiane që përfshijnë një cilësi më të mirë jete për banorët dhe komunitetin, si një zhvillim thelbësor në një territor banimi, i japin dhe biznesit të zonës një mbështetje dhe një mundësi reale për tu zhvilluar./n.m/