English

Reportazh/ Vlore: Fermeret E Suksesshem Ne Ish-Nb Llakatundi

VLORE, 21 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Fusha e Llakatundit, 15 km në verilindje të Vlorës, një nga më të mëdhatë në vend, me sipërfaqe të përgjithshme 3563 hektarë, ku 1900 hektarë administrohen nga fermerët e fshatit me të njëjtin emër, gjelbëron nga dora punëtore. Dikur, Llakatundi ishte një nga Ndërmarrjet Bujqësore më të njohura në vend, për shkak të shumllojshmërisë dhe të sasisë së prodhimeve bujqësore për vite me rradhë u shndërrua në një hapësirë problematike për shkak të kultivimit të bimëve narkotike kanabis sattiva pas viteve 1990-të, kur pjesa më e madhe e banorëve e braktisën tokën, duke u larguar në qytet dhe emigrimin jashtë vendit. Tashmë gjërat kanë ndryshuar plotësisht. Banorët i janë kthyer punës, ndërsa fusha e Llakatundit është shndërruar në prodhuesen më të madhe dhe furnizuesen kryesore me prodhime bujqësore të tregut në Vlorë, por dhe në Tiranë, e gjetkë, pasi mjaft nga fermerët andej i kanë hedhur sytë, duke i furnizuar me fruta perime të llojeve të ndryshme, ullinj e produkte blegtorale. -Fermerët, kultivuesit më të spikatur të perimeve- "Fusha e Llakatundit është shndërruar në mjedis pjellor ku kultivohet një llojshmëri e pasur e fruta perimeve dhe fermerët janë aktualisht, ndër furnizuesit kryesorë të tregut të Vlorës dhe qyteteve të tjera", thotë për ATSH-në, Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, Eduard Dervishaj. Sipas tij, "krahas prodhimeve tradicionale, si domatet, specat, patëllxhanet, patatet, kungujt, sallatës, spinaqit, trangullit, lakra e lulelakra, mollët, dardhët, kumbullat, ftonjtë, fermerët kanë shtuar edhe kultura të tjera si, brokoli e finok, që nuk janë në traditën e kësaj zone, por që mund të kultivohen fare mirë dhe me mjaft efektivitet". Nuk kanë mbetur jashtë as luleshtrydhet, kajsitë, kivi, ndaj të cilave tregu është vazhdimisht i etur. Dhjetra fermerë të zonës, tashmë kanë krijuar një raport të përhershëm me tregun, duke qenë ndër më të njohurit në shkallë rrethi dhe më gjerë. -Prodhimi në rritje- Viti i kaluar shënoi një "boom" prodhimi dhe ky i sivjetmi, pritet të jetë më i suksesshëm. Qindra tonë perime e fruta shkojnë drejt tregut. Aktualisht, nga 1750 hektarë të mbjella me kultura bujqësore, 150 hektarë janë me perime. Vitin e kaluar, prodhimi i perimeve këtu arriti në 25.760 kv, ndërkohë që për 2010-ën, sasia e përgjthshme pritet të rritet me të paktën 10 për qind. Qazim Muhametaj, një nga fermerët e zonës tregon, se janë dhjetra prodhues të tjerë në Llakatund, që i janë rikthyer traditës së kultivimit të perimeve, frutave e ullinjve. "Llakatundi është një zonë e pasur dhe kjo po reflekton gjatë këtyre viteve", thotë ai. Elidon Gjoni, një tjetër fermer, pohon se është shtuar numri i fermerëve dhe është rritur prodhimi nga viti në vit. Ai tregon se, në parcelat e tij kultivon mollë, kryesisht të llojit "Starkling", me të cilat ka dalë shumë mirë në treg. -Fermeri Mendim Baçaj, i suksesshëm në mbarështimin e ullirit- Mendim Baçaj, një nga fermerët e njohur në zonë, dy vjet më parë përfitoi nga skemat e mbështetjes financiare të qeverisë për të kultivuar një parcelë me ullinj. Mendimi, agronom në profesion, shërbimet i kryen në kohë dhe me cilësinë e profesionistit. "Janë 2.2 hektarë, ku dy vjet më parë, kam kultivuar 525 rrënjë ullinj", tregon Mendimi. Kultivari që ka zgjedhur është "Frantoja", i ardhur nga Italia. Tashmë, kur kushtet e zhvillimit të ullishtarisë kanë ndryshuar, edhe kultivarët që zgjedhin fermerët janë të shumëllojshëm dhe në përshtatje me zonën ku kultivohet. Psh, Llakatundi, i njohur në Vlorë dhe më gjerë për ullirin, e kultivonte në zonën kodrinore. Por, hapja me botën dhe përvoja bashkëkohore, solli të tjera alternativa. "Tashmë, ulliri po zhvendoset në fushë ku edhe prodhimi merret shumë më shpejt, qysh në vitin e katërt dhe është më i bollshëm dhe më cilësor", thotë Mendimi, që shpjegon se është rritur shumëllojshmëria e kultivarëve. Në parcelën e tij, ai ka zgjedhur "Frantojën", alternativë e "Kalinjotit" të dikurshëm, që mbillej në zonën kodrinore. Ky kultivar është më rezistent, veçanërisht ndaj sëmundjes së rrezikshme për ullirin, e emërtuar "syri i palloit". Emërtimi, reflekton mënyrën e shfaqjes në gjethen e ullirit të një larve, që merr trajtat rrethore disangjyrëshe, të ngjashme me syrin e palloit. "Është një sëmundje, që shkakton dëme të jashtëzakonshme në ullishtari", thotë Eduard Dervishaj, Drejtor i Bujqësisë, për Qarkun e Vlorës. Duke u zhvendosur përgjatë parcelës, pronari i saj tregon me kënaqësi, ullinjtë e rritur e të shëndetëshëm. Sipas tij, në këtë zonë, ky kultivar është mjaft i përshtatshëm dhe kjo reflektohet tek ullinjtë gjetheplotë. Mendimi tregon se, për të realizuar këtë parcelë 2.2 hektarëshe, paraqiti një projekt, që u miratua pa asnjë hezitim. Si ai, edhe mjaft fermerë të tjerë në Llakatund kanë përfituar fonde nga qeveria për të shtuar parcela me kultura të ndryshme, pemë, dardhë, mollë, ullinj, vreshta. Për 3-4 vjet, Mendimi do të marrë prodhimin e parë nga kjo parcelë. Por, gjatë kësaj kohe, duhet të vazhdojë të kujdeset për të. /a.ke/
KOMENTE