Prishtinë, 21 Korrik, NOA – Reagime të shumta kanë mbërritur sot nga autoritetet shqiptare si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni, lidhur me rigjykimin e rastit Haradinaj nga gjykata e Hagës.
Kështu, Bashkimi Demokratik Shqiptar në Shkup, përmes një deklarate ka pohuar se “Ky vendim i Hagës, i sjellë një ditë para se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të prononcohet lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës është një vendim politik, i mbeturinave politike të këtij tribunali, që synon të relativizojë krimet serbe dhe mungesën e vullnetit të këtij tribunali për të arrestuar kriminelët e vërtetë!”.
Bashkimi Demokratik Shqiptar dënon këtë sjellje të papërgjegjshme të qarqeve politike të këtij tribunali.
“Serbia, si gjenerator i krimeve më monstruoze të bëra në Evropën e pasluftës së dytë botërore është shndërruar në Eldorado e kriminelëve të Ballkanit!Në pamundësi që t’i imponojë këtij shteti kriminel që të dorëzojë kriminelët e vërtetë të Luftës në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës kurdis procese gjyqësore kundër personaliteteve që ishin bartës të rezistencës përballë politikës gjenocidale të Beogradit.”, thuhet në reagimin e BDSH-së.
Ndërsa partia e drejtuar nga Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka vlerësuar vendimin për rigjykimin e tij si një lajm të keq për AAK-në, qytetarët dhe shtetin e Kosovës.
“AAK është tejmase e befasuar me vendimin e Tribunalit të Hagës, veçmas kur dihet që me një vendim unanim të shkallës së parë të këtij Tribunali, më 3 prill 2008, Haradinaj është shpallur i pafajshëm prej të gjitha akuzave”, ka thënë nënkryetari i partisë, Blerim Shala.
Ndërkohë që veteranët e luftës së UÇK-së në zonën e Dukagjinit, kanë kërkuar nga Gjykata e Hagës të tërheqë vendimin e saj.
Në reagimin e tyre ata tërheqin vërejtjen se mbajtja në paraburgim e ish-kryeministrit të Kosovës do të destabilizonte Kosovën dhe rajonin.
n.e/NOAh