Rumani - Trupat E Bashkëshortëve Çaushesku Zhvarrosen Për T'U Identifikuar
BUKURESHT, 21 korrik /ATSH-AFP/ - Zhvarrosja e trupave të ish-diktatorit rumun Nikcolae Çaushesku dhe bashkëshortes së tij Elena, të ekzekutuar përpara më tepër se 20 vjetëve, filloi sot në një varrezë të Bukureshtit, për të bërë të mundur teste ADN-je që do të verifikojnë identitetin e tyre, njoftoi AFP-në një zyrtar i varrezës.
"Zhvarrosja filloi", i bëri të ditur i njëjti burim në varrezën Ghencea një gazetareje të AFP-së pa u identifikuar, por duke i ndaluar gazetarët të hynin në rrethimin e varrezës.
Pak më parë, dhëndrri i bashkëshortëve Çaushesku, Mircea Opran, ka njoftuar se trupat e Nikolae dhe Elena Çaushesku do të zhvarrosen sot për të bërë të mundur kryerjen e testeve të ADN-së, me kërkesën e familjes.
"Sot, do të bëhet zhvarrosja dhe më tej eshtrat do t'u nënshtrohen analizave. Duhet të përcaktojmë nëse janë me të vërtetë ato" që janë futur në varrezën Ghencea të Bukureshtit, ka deklaruar Opran për televizionin privat rumun Realitatea TV. Rezultatet e analizave mendohet të dalin pas disa javëve.
Pas kryerjes së tyre trupat do të rivarrosen.
Nikolae Çaushesku drejtoi Rumaninë me një dorë të hekurt nga viti 1965 deri në vitin 1989. Pas manifestimeve në rrugë, ai u largua me bashkëshorten Elena në dhjetor të vitit 1989. Pasi u arrestuan dhe u gjykuan gjatë një procesi gjyqësor të shpejtë, ata u ekzekutuan më 25 dhjetor të vitit 1989.
Sipas autoriteteve, trupat e tyre u varrosën në varrezën Ghencea të Bukureshtit.
/I.Pu.