English

Serbia: Rigjykimi i Haradinajt, vendim i drejtë

Beograd, 21 Korrik, NOA – Beogradi zyrtar e ka cilësuar si të drejtë rinisjen e procesit të gjykimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Kjo përbën një nga dëshmitë e objektivitetit të këtij tribunali”, ka deklaruar presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, sipas të cilit, gjithsesi, Serbia nuk përzihet në punën e Tribunalit të Hagës dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ndërkaq, po sot, kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviç, tha se mund të kenë dalë në dritë prova të reja kundër Haradinajt.

"Unë kam patur përshtypjen se lirimi i tij pas procesit të parë nuk ishte se u provua pafajësia e tij, por se nuk kishte prova të mjaftueshme. Supozoj se kanë dalë prova të reja, por unë nuk i di hollësitë dhe nuk dëshiroj të bëj ndonjë koment për to", tha kryeministri serb.

Ndërsa ministri Rasim Ljajiç, i cili kryeson Këshillin Kombëtar serb për bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës, e përshëndeti vendimin për rigjykimin e çështjes së ngritur ndaj Haradinaj.

"Ne besojmë se vendimi i Dhomës së Apelit është i drejtë, duke patur parasysh se në procesin e parë kishte disa mangësi. Shumë dëshimtarë, një pjesë e të cilëve kishin frikë apo disa të tjerë u likuiduan fizikisht, nuk mundën të dëshmonin para gjykatës. Ka shumë rëndësi që në këtë rigjykim të paraqiten të gjitha provat dhe të dalin të gjithë dëshmitarët për të zbuluar të vërtetën dhe për të vënë në vend drejtësinë", tha ministri serb Rasim Ljajiç.

n.e/NOA

KOMENTE