Partnerët tanë ndërkombëtarë në BE dhe këtu në Uashington DC mendojnë se opinioni i GJND-së mund të sjellë një momentum të ri, të cilin Prishtina dhe Beogradi duhet ta shfrytëzojnë për të filluar një dialog teknik, i cili do të shënonte fillimin e një faze të re të marrëdhënieve Kosovë–Serbi
Nga Hashim Thaçi Po e filloj këtë prezantimi timin duke e falënderuar fillimisht Institutin Amerikan për Paqe, dhe në mënyrë të veçantë z. Daniel Server, për mundësinë që t’i adresohem kësaj audiencë të respektuar.
E ardhmja e Kosovës dhe e shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor është dhe duhet të jetë integrimi në NATO dhe BE. Kjo aspiratë nuk është vetëm dëshirë, por një domosdoshmëri për paqe dhe stabilitet afatgjatë.
Kaluan njëmbëdhjetë vite në liri, dhe mbi dy vite nga koha kur në mënyrë të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, shpallëm Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Deri tani shteti i Kosovës është njohur nga 69 shtete anembanë botës, është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), në Bankën Botërore (BB), dhe jemi shumë afër anëtarësimin edhe në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Për fat të keq, ende ka shtete që sillen me Kosovën thuajse ajo nuk ekziston.
Ndërsa mesazhi ynë është i qartë: Kosova ekziston dhe është shtet funksional – ka ekzistuar dje, ekziston sot, do të ekzistojë nesër dhe përgjithmonë.
Amerika dhe populli amerikan janë krenarë për vlerat që përfaqësojnë. Edhe qytetarët e Kosovës janë krenarë – krenarë për trashëgiminë dhe shumë-etnicitetin tonë, krenar për historinë tonë dhe plot shpresë për të ardhmen. Kosova do të jetë model i tolerancës dhe shumë-etnicitetit për të gjithë Evropën. Zonja dhe Zotërinj, Gjatë këtyre pak viteve që ne jetojmë dhe punojmë të lirë, Kosova ka arritur progres të konsiderueshëm në shumë fusha duke marrë në konsideratë mundësitë e kufizuara dhe situatën komplekse politike.
Në aspektin ekonomik, Kosova ka trashëguar një ekonomi të dobët si rrjedhojë e menaxhimit nga sistemi i kaluar dhe dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së fundit.
Përkundër kësaj, në vitet e fundit ne kemi punuar shumë që ta ruajmë një rritje ekonomike solide pavarësisht krizës së rëndë globale. Ne po e ulim pjesëmarrjen e Qeverisë në ekonomi, për të stimuluar sektorin privat. Kjo është arsyeja pse ne po i privatizojmë asetet kryesore të shtetit: Korporatën Elektro-energjetike të Kosovës (KEK) dhe Postë-Telekomin e Kosovës (PTK). Muaj më parë e kemi përmbyllur me sukses të plotë dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për 20 vitet e ardhshme një kompanie prestigjioze ndërkombëtare. Për t’i stimuluar investimet e huaja, ne kemi marrë vendim për fillimin e ndërtimit të autostradës së parë në Kosovë, që e lidh vendin tim me Shqipërinë dhe me Serbinë.
Kompania fituese e konsorciumit amerikano-turk, Bechtel & Enka, tashmë ka filluar punën, ndërsa projekti pritet të përfundojë brenda një periudhe trevjeçare.
Vetëm nga Projekti i ndërtimit të autostradës po hapim rreth 4000 vende të reja të punës. Zonja dhe zotërinj, Një ndër fushat më sfiduese për Kosovën ka qenë dhe ende mbetet sundimi i rendit dhe ligjit. Jo vetëm për faktin se në pjesën veriore të Kosovës ende veprojnë strukturat ilegale të sigurisë, të cilat financohen nga Serbia, mirëpo edhe për shkak se rezultatet në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ende nuk janë të kënaqshme. Për ta tejkaluar këtë situatë, ne jemi duke punuar shumë ngushtë me EULEX-in dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë në Kosovë. Ne, respektivisht institucionet e Kosovës, do të vazhdojmë të jemi në ballë të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative. Kjo betejë po jep rezultatet e para pas 11 vitesh. Beteja nuk është e lehtë, por i kam garantuar qytetarët e vendit se do të jemi të pakompromis dhe i siguroj edhe miqtë tanë në Uashington se do të kemi sukses. Ne po ndërtojmë shtet ligjor dhe funksional, dhe kjo është alternativa e vetme për ne. Për këtë qëllim, kemi filluar reformën rrënjësore në sistemin e drejtësisë, dhe shumica e ligjeve të reja që rregullojnë këtë fushë janë në procedurë të miratimit në Parlamentin e Kosovës. Të gjitha sipas standardeve perëndimore. Këto reforma do ta mundësojnë krijimin e një sistemi gjyqësor modern, efektiv dhe të pavarur. Drejtësia është në dispozicion në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët. Zonja dhe zotërinj, Duhet ta ripërsëris se Kosova është shtet shumë-etnik dhe unë ndihem shumë mirë që Kushtetuta jonë dhe të gjitha ligjet tona në mënyrë afirmative i sigurojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Me kënaqësi mund të konstatoj se mbi 90 për qind e dispozitave të Planit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari që kryesisht kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë, tashmë janë implementuar. Decentralizimi po zë rrënjë në mbarë vendin, kurse Qeveria po ua bartë përgjegjësitë strukturave lokale, duke e sjellë qeverisjen më afër qytetarëve. Vjeshtën e kaluar ne e befasuam botën me suksesin e zgjedhjeve lokale dhe me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të qytetarëve tanë serbë, të cilët kanë zgjedhur rrugën e përqafimit të decentralizimit duke e shfrytëzuar rastin për të marrë përsipër përgjegjësinë për qeverisjen lokale. Kemi mbajtur zgjedhje komunale të lira e demokratike, në të cilat morën pjesë qytetarët serbë të Kosovës dhe zgjodhën përfaqësuesit e tyre në strukturat e reja komunale. Jo më larg se të dielën e kaluar, qytetarët e Parteshit, komunë kjo me shumicë serbe e cila është themeluar në përputhje me Planin e Presidentit Ahtisaari, duke votuar në mënyrë masive (një pjesëmarrje prej mbi 60 për qind) zgjodhën Kryetarin e Komunës së tyre dhe udhëheqësit e rinj lokalë. Nga pesë komuna të reja me shumicë serbe të cilat janë parashikuar të themelohen sipas Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, tashmë ne i kemi krijuar katër. Ne po vazhdojmë të punojmë për ta krijuar e komunën e pestë, Komunën e Mitrovicës Veriore dhe për këtë qëllim kemi ngritur Grupin Komunal Përgatitor i cili po punon për ta përgatitur mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe krijimin e komunës së re. Ne, gjithashtu, në mënyrë të koordinuar me ICO dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, kemi hapur Zyrën për Shërbime Civile të Republikës së Kosovës në veri të lumit Ibër, e cila iu shërben nevojave të gjithë qytetarëve që jetojnë në atë pjesë. Për fat të keq, integrimi i plotë i serbëve që jetojnë në veri të lumit Ibër po pengohet dhe vështirësohet për shkak të rolit destruktiv të Serbisë. Mirëpo ne nuk do të zmbrapsemi sepse e dimë se qytetarët serbë që jetojnë në këtë pjesë, duan të marrin përgjegjësitë dhe të jetojnë sikur qytetarët tjerë serbë që jetojnë në jug të lumit Ibër. Ju e dini se qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë kanë të drejtën e dyshtetësisë, asaj të Kosovës dhe të Serbisë. Përkundër këtij fakti, është shumë inkurajuese se deri më sot, diku rreth 20.000 qytetarë të komunitetit serb janë pajisur me karta të identitetit të Kosovës. Kjo është një dëshmi shtesë për dëshirën e tyre për t’u integruar në institucionet e Kosovës. Pjesëmarrës të nderuar, Ju e dini dhe besoj se pajtoheni me konstatimin se krijimi i shtetit të Kosovës ka sjellë stabilitet dhe mundësi të reja për Ballkanin Perëndimor. Kosova ka ndërtuar marrëdhënie shumë të mira me Maqedoninë, Malin e Zi, dhe natyrisht me Shqipërinë. Por, njëri nga fqinjët tanë, Serbia, nuk e pranon realitetin e Kosovës së pavarur dhe punon pandërprerë për ta minuar atë. Përpjekjet e saj do të dështojnë. Përkundër kësaj, Kosova së shpejti pritet të përballët me një sprovë të madhe për shkak se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet ta japë opinionin e shumëpritur për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Tashmë është bërë publike se gjykata do ta bëjë publike opinionin e saj këtë të enjte, pra me 22 korrik 2010, dhe përderisa ne flasim këtu me siguri se gjykatësit e nderuar tashmë e kanë kryer punën e tyre. Unë jam shumë optimist se opinioni i GJND-së duhet të jetë në favor të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Nuk besoj se ndonjë gjykatë kudo, e aq më tepër GJND-ja, do të mund të dalë kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës për të jetuar të lirë në vendin e tyre. Mirëpo, çfarëdo që të jetë vendimi, pavarësia e Kosovës mbetet e pakthyeshme dhe liria e popullit tim e përhershme. Megjithëkëtë, partnerët tanë ndërkombëtarë në BE dhe këtu në Uashington DC, mendojnë se opinioni i GJND-së mund të sjellë një momentum të ri, të cilin Prishtina dhe Beogradi duhet ta shfrytëzojnë për të filluar një dialog teknik, i cili do të shënonte fillimin e një faze të re të marrëdhënieve Kosovë–Serbi. Unë, si Kryeministër, jam shumë i përgjegjshëm dhe ju siguroj se Qeveria e Kosovës gjithnjë është e gatshme për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv, në mënyrë të barabartë, me cilindo shtet tjetër, duke përfshirë edhe Serbinë. Mirëpo, dua ta bëj të qartë se Institucionet e Republikës së Kosovës kurrë nuk do të ulen me askënd për të negociuar pavarësinë tonë, apo integritetin territorial të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e vetëdijshme se bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu, janë çështje kyçe për stabilitet, zhvillim ekonomik dhe kusht për integrim në Bashkimin Europian dhe në NATO. Kosova është përcaktuar për politikën e fqinjësisë së mirë, për integrime rajonale dhe europiane. Raporte të mira fqinjësore mund të krijohen vetëm në baza të marrëdhënieve që udhëhiqen nga politika e bashkëpunimit të drejtë dhe e partneritetit reciprok. Dialogu me Serbinë në kuptimin e ndërtimit të këtij bashkëpunimi është i dobishëm, i pashmangshëm dhe do të hapë një kapitull të ri të zhvillimit të marrëdhënieve fqinjësore dhe rajonale. Mirëpo, për shkak të natyrës së raporteve me Serbinë, mundësia e politizimit të secilës çështje që bisedohet është shumë e madhe. Pjesëmarrës të nderuar, Zonja e Zotërinj, Tani më lejoni të përfitoj nga rasti që në këtë institut prestigjioz të shpalosi për herë të parë një kornizë të shkurtër të çështjeve të cilat mund dhe nuk mund të bisedohen në rast të fillimit të dialogu me Serbinë. Unë mendoj se në frymën e marrëdhënieve të krijuara me vendet tjera të rajonit duhet ta përcjellim edhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Sfera e çështjeve teknike që mund të diskutohen është shumë e gjerë, ndërsa dialogu për zgjidhjen e tyre do të jetë i vazhdueshëm. Ne duhet të fillojmë të bisedojmë për: 1. Zgjidhjen e problemeve të krijuara nga lufta: • Gjetjen e personave të zhdukur (dialogu aktual duhet të avancohet në gjetjen e rezultateve konkrete); • Kthimin e refugjatëve në pronat dhe shtëpitë e tyre; • Kthimin e dokumentacionit nga Serbia; • Çështjet e kthimit të fondit pensional për qytetarët e Kosovës. 2. Dialogu për bashkëpunimin rajonal: • Eliminimi i pengesave në lidhje me pjesëmarrjen në mekanizmat dhe iniciativat rajonale; • Tejkalimin e pengesave për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë nëpër Serbi dhe anasjelltas (njohja e pasaportave, tabelave të veturave, etj); • Vendosjen e demarkacionit të kufirit; • Uji, Energjia, CEFTA. 3. Dialogu për çështje të interesit të përbashkët në krijimin e një ambienti të sigurt dhe zhvillim ekonomik, të cilat përfshijnë bashkëpunimin në: Polici, Drejtësi, Dogana, Transport, Energji, Arsim, etj. Shumica e këtyre çështjeve janë të “natyrës humane” dhe nuk ka asnjë lloj arsyeje që zgjidhja e tyre të prolongohet. Ne jemi gati që t’i zgjidhim këto çështje, mirëpo shtrohet pyetja se a është e gatshme Serbia? Tash është koha që të ndihmohet pjesëmarrja e Kosovës në iniciativat rajonale. Një gjë e tillë është e rëndësisë kritike për t’i adresuar dhe zgjidhur problemet e përbashkëta për popujt e rajonit, dhe jetike për të ndërtuar marrëdhënie të mira ndërfqinjësore në të tërë rajonin, me qëllim që të ecim bashkërisht drejt BE-së. Sido që të jetë, Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që në çfarëdo rrethane të krijuar pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të mos lejojë që në procesin e dialogut eventual me Serbinë të preken çështjet si në vijim: • Statusi politik i Republikës së Kosovës - Kosova e ka shpallur pavarësinë në pajtim me vullnetin e popullit të Kosovës dhe pas shterjes së të gjitha mundësive për arritjen e një marrëveshje të pajtuar nga të gjitha palët. Shpallja e pavarësisë është bërë pas negociatave të gjata direkte dhe me ndërmjetësimin e të gjithë aktorëve kryesorë ndërkombëtarë, nën udhëheqjen e të emëruarit të Kombeve të Bashkuara dhe kanë përfshirë Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusinë. • Çështjet që lidhen me integritetin territorial të Republikës së Kosovës – Çdo ide për diskutim që do të vinte në pikëpyetje integritetin territorial të Kosovës do jetë e papranueshme për institucionet dhe popullin e Kosovës. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin, përcakton se “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. Hapja e çështjes së ndryshimit të kufijve të Kosovës në mënyrë të pashmangshme do ketë implikime zinxhirore edhe në vendet tjera të rajonit, përfshirë Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë, Bosnjën e Hercegovinën, etj. • Çështjet që janë në kundërshtim me Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës – Zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës është kriteri vital dhe parakushti i vetëm për funksionimin shtetit të Kosovës. Kushtetuta është hartuar si rezultat i një konsensusi ndërkombëtar dhe mbi bazat e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin. Kushtetuta qëndron mbi themelet e një kornize të gjerë legjislative që garanton mbrojtjen e të drejtave të gjithë popullsisë së Kosovës, e në veçanti komuniteteve joshumicë. Kushtetuta përcakton parimet dhe dispozitat si dhe mekanizmat që garantojnë përfaqësimin e komuniteteve pakice dhe rolin e komuniteteve në të gjitha institucionet publike. Një status të avancuar që garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës për komunitetet pakicë mund të merret si shembull edhe nga shtetet tjera të rajonit dhe më gjerë. Qeveria e Republikës së Kosovës pranon që dialogu i mundshëm teknik me Serbinë të bëhet me ndërmjetësimin zyrtar të BE-së dhe SHBA-ve, të cilët do të jenë edhe garantues për zbatimin e çfarëdo marrëveshjeje që mund të arrihet në nivele të fushave që diskutohen. Dua të ritheksoj edhe njëherë që integrimi në strukturat euroatlantike jo vetëm e Kosovës, por i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është çelës për zhvillim ekonomik dhe stabilitet afatgjatë. Qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar me BE-në për t’i plotësuar kriteret për anëtarësim në BE dhe unë shpresoj që liberalizimi i vizave do të jetë përfitimi i parë kësaj përpjekjeje. Ndërsa në anën tjetër KFOR-i po reduktohet dhe pritet që gradualisht ta përmbyllë misionin e tij të suksesshëm në Kosovë, ne po angazhohemi me Aleancën e Madhe që Forca e Sigurisë e Kosovës të anëtarësohet në Partneritetin për Paqe dhe që përfundimisht të hyjmë në një Plan të Veprimit për Anëtarësim. Zonja e zotërinj, Procesi i shtet-ndërtimit në Kosovë, përkundër sfidave të shumta, është një proces shumë i suksesshëm. Vetëm për dy vite të funksionimit si shtet, ne kemi arritur t’i themelojmë dhe funksionojmë të gjitha institucionet e shtetit tonë, si dhe t’i zbatojmë në praktikë dispozitat e Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari. Dy vite pas bërjes së shtetit tonë, ne po fitojmë më shumë vetëbesim dhe kemi fituar aftësi për t’i menaxhuar punët tona. Unë besoj se periudhës së pavarësisë së mbikëqyrur, siç parashihet në Planin Ahtisaari, po i vije fundi dhe sfida jonë në të ardhmen do të jetë për të ecur përpara me aspiratat tona euroatlantike. Konsiderojmë se Kosova si shtet demokratik shumë-etnik është sukses i investimit të madh të bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti i BE-së dhe SHBA-ve.
(*) Fjalim i mbajtur në Institutin Amerikan për Paqe, Uashington DC, 20 korrik 2010 në tryezën “Ndërtimi i së Ardhmes Euro-Atlantike për Kosovën: Mundësitë dhe Sfidat”