Shkoder: Bashkia Prish 12 Ndertime Pa Leje, Pronaret Nuk Kundershtojne
SHKODËR, 21 Korrik/ATSH-G. Marku/- Inspektoriati i Policisë Ndërtimore pranë Bashkisë së Shkodrës prishi sot 12 objekte të ndërtuara pa leje në lagjen "Xhabijaj" në hyrje të qytetit, të cilat ishin bërë pengesë serioze për levizjen normale të banorëve.
Gjatë një prononcimi për mediat, shefi i Inspektoriatit Ndërtimor, Roland Çomo tha se "krahas krijimit të hapësirave normale për levizjen e banorëve dhe të automjeteve, me sheshet e gjëra që përfitohen me këtë rast, Bashkia e Shkodrës ka të miratuar një projekt që ka të bëjë me ndërtimin e sipërfaqeve të gjerbëruara, të cilat do të jenë në shërbim të komunitetit".
Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje, qe perfshinin rrethime, shtesa katesh dhe njësi shërbimesh private, nuk ka hasur ne rezistencën e banorëve. Sipas Çomos,"vete familjarët kanë mbështetur dhe ndihmuar fadromat në kryerjen me korrektesë të aksionit në fjalë".
Sipas tij, "aksione të tilla që kanë të bëjnë me lirimin e zonave të bllokuara nga ndërtimet pa leje do të vijojnë edhe në pjesë e tjera të qytetit, bazuar në një listë që është hartuar nga sektori urbanistik dhe miratuar nga Këshilli Bashkiak i qytetit". /a.ke/