English

Shkoder: Mbyllet Viti Akademik, Ne Universitetin "Luigj Gurakuqi" Shperndahen Diplomat

SHKODËR, 21 Korrik/ATSH-G. Marku/- Zv/ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, asistoi sot në ceremoninë e shpërndarjes së diplomave për studentët e Universitetit "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës. Kanë qënë 52 studentët më të mirë të këtij universiteti, të cilët në praninë e stafit akademik, janë pajisur me diplomat universitare. "Historia e ka afirmuar Universitetin e Shkodrës si një nga qendrat më në zë për përgatitjen e specialistëve të shumë fushave të dijes, mësues, ekonomistë, sociologe, psikologë, biznesmenë, diplomatë, personalitete të shquar intelektuale", tha rektori i këtij universiteti, Artan Haxhi. Ai bëri të ditur se sivjet janë diplomuar pranë këtij universiteti 2474 studentë, prej të cilëve 1824 në sistemin e ditës 3 dhe 4 vjeçar, 330 në sistemin part-time, 35 DND si dhe 320 Master në Mësuesi. Zv/ministrja Malaj tha se, "pata fatin që të isha në këtë universitet në hapjen e vitit të ri akademik dhe sërishmi tani këtu, për mbylljen e procesit mësimor si dhe për ceremoninë e dorëzimit të diplomave". "Jam e bindur se arsimimi juaj nuk përfundon këtu. Arsimimi juaj do të vijojë gjatë të gjithë jetës për t'i shërbyer nxitjes suaj, kulturës suaj, vlerave tuaja dhe vlerave të gjithë shoqërisë." "Nuk mund të realizojmë procesin e integrimit, nuk mund të realizojmë reformat arsimore, nuk mund të realizojmë reformat e thella në drejtim të cilësisë dhe të standarteve, nëse nuk do të jeni modeli më i mirë i pararojës, i kërkesës, i dëshirës, i programeve dhe kurrikulave me sisteme të standartit europian, për të treguar se sistemi arsimor është pjesa e pandarë e krijimit të shoqërisë", iu drejtua ajo pedagogeve te universitetit. /a.ke/
KOMENTE