English

Shpëtim Idrizi: Misioni im me PDU-në

Tiranë, 21 Korrik, NOA/INA - Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDU) në Shqipëri, Shpëtim Idrizi, flet për misionin e këtij subjekti politik shqiptar, rikthimin në agjendën ndërkombëtare të çështjes çame, problemin e kontestit të emrit të Maqedonisë me Greqinë dhe pozitën e shqiptarëve, komonuelthin ekonomik ndërshqiptar etj.

“Ne nuk angazhohemi vetëm për zgjidhjen e çështjes çame, por të gjithë çështjes shqiptare në botë që ne kemi thënë se përbëhet nga çështja çame, nga përparimi i statusit të shqiptarëve në Maqedoni, pranimi i Kosovës si shtet sovran, i pandarë në familjen e shteteve dhe një status dinjitoz për diasporën tonë të vjetër dhe të re. Sigurisht, sot çështja çame mbetet në pikëpamje të plotësisë së saj, e vetmja çështje e pazgjidhur”.

PDU është një nga forcat e para politike në pluralizmin shqiptar, e cila angazhohet për çështjen e pazgjidhur çame. Cilat janë rezultatet e arritura deri tani nga misioni juaj për këtë çështje të ndjeshme shqiptare ?

Dua të bëj një saktësim. Ne nuk angazhohemi vetëm për zgjidhjen e çështjes çame, por të gjithë çështjes shqiptare në botë që ne kemi thënë se përbëhet nga çështja çame, nga përparimi i statusit të shqiptarëve në Maqedoni, pranimi i Kosovës si shtet sovran, i pandarë në familjen e shteteve dhe një status dinjitoz për diasporën tonë të vjetër dhe të re. Sigurisht sot çështja çame mbetet në pikëpamje të plotësisë së saj, e vetmja çështje e pazgjidhur. Ne kemi bërë shumë në lidhje me të, krahasuar me periudhën e shkurtër që jemi në skenë. Kemi investuar në planin ndërkombëtar- unë jam anëtar i grupit shqiptar parlamentar në Këshill të Evropës, kemi angazhuar një studio juridike angleze, dhe kemi kontakte të mira me Kongresin amerikan. Në planin e brendshëm ne i kemi dhënë legjitimitet kësaj çështje, e kemi bërë të pranishme në politikën zyrtare dhe parlamenti rregullisht detyrohet të përballet me të. Ne kemi mobilizuar forcat më të mira të këtij komuniteti, të rinjtë dhe gratë në aktivitete të ndryshme sensibilizuese dhe aktiviteti më i fundit ishte ai i Qafë Botës ku ne përkujtuam në mënyrë unikale 66 vjetorin e gjenocidit mbi popullin tonë. Për arritje të tjera do të dëgjoni shpejt, me hapjen e sezonit politik në vjeshtë.

Për dy dekada pluralizëm në Shqipëri, sa është alarmuar çështja çame nga politika dhe institucionet shqiptare?

Për fat të keq nuk është shumë alarmuar dhe ne kemi arritur me shumë vështirësi ta fusim këtë çështje në agjendë. Kur një çështje si ajo çame, del nga agjenda, veçanërisht ajo ndërkombëtare, është shumë vështirë ta rifusësh. Që në vitet e para të pluralizmit Ish presidenti Berisha, ish kryeministri Meksi, ministri i jashtëm Serreqi, e ngrinin me forcë këtë çështje në takimet e tyre me homologët grekë, si çështje rikthimi të shqiptarëve në vatrat e tyre dhe grekët ishin të gatshëm të shqyrtonin zgjidhje qoftë dhe të pjesshme. Por me daljen e saj nga agjenda, siç thashë, për shkak të ngjarjeve të 1997, me ndonjë përjashtim të vogël nuk u bë asgjë. Sot ky komunitet ka një përfaqësim politik për herë të parë në parlament, dhe ne kemi përgjegjësi të madhe në mbajtjen të hapur të saj, kudo, kurdo dhe në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne nuk jemi vetëm sigurisht. Bashkë me ne, ka plot miq të mirë nga partitë e mëdha, nga shoqëria civile në Shqipëri, Kosovë dhe gjetkë siç patëm rastin ta provonim në vizitën tonë në Kosovë, apo nga aktiviteti i Qafë Botës ku morën pjesë personalitete të mëdha nga e gjithë hapësira shqiptare si humanistja e madhe Flora Brovina, legjenda e gjallë Adem Demaçi, numri dy i lëvizjes Vetëvendosja, nga Lëvizja Çohu në Maqedoni, etj.

Në kontekst të pyetjes së mësipërme, Pse nuk ka pasur nisma konkrete ndaj shtetit grek për këtë çështje ?

Ju thashë se ka patur në fillim të viteve 90 nisma interesante, madje ish kryeministri Meksi ka kërcënuar Greqinë se do ta padiste në Hagë për gjenocid, por pastaj pati një tërheqje, si pasojë e presionit grek apo dhe ngjarjeve të vitit 1997, kur Shqipëria humbi çdo lloj autoriteti ndërkombëtar dhe s'mund të kërkonte asgjë, përveçse asistencë për të mbijetuar. Qeveritë demokratike greke ndërsa kanë pranuar ta shqyrtojnë këtë çështje në vitet e para pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri dhe marrëdhënieve normale diplomatike mes dy vendeve, sot e konsiderojnë si një çështje që “nuk ekziston”. Por ne do të tregojmë dhe atyre se ajo ekziston dhe njëlloj perspektive pozitive është hapur me rastin e ardhjes në pushtet të një force që përgjithësisht është e prirur për marrëdhënie të mira me shqiptarët.

Keni gjetur mbështetje edhe në planin ndërkombëtar për të ecur përpara procesin e zgjidhjes së kësaj çështje?

Po, kemi gjetur dhe më duket se kemi miq të mirë. Siç mund ta imagjinoni, kjo vjen pasi ne jemi interlokutorë seriozë. Për herë të parë ky komunitet ka një përfaqësim të tillë dhe Partia për Drejtësi dhe Unitet ka ditur të mobilizojë energjitë më të mira të këtij komuniteti, më vitali, më patrioti, mes popullit shqiptar. Ne kemi miq të mirë në Kongresin amerikan, në Parlamentin Evropian, në disa vende fqinjë, e pse jo dhe në Greqi.

Cila është zgjidhja sipas jush e problemit të pazgjidhur të Çamërisë ?

Krimi shtetëror grek i kryer nga të gjithë qeveritë që kanë pasuar njëra tjetrën prej viteve 1920 deri në vitin 1950, konsiderohet nga autorë grekë dhe ndërkombëtarë si “pastrim etnik”. Pavarësisht sesi përkufizohet, “pastrim etnik” apo “gjenocid”, ky krim kolektiv i shtrirë në kohë solli në asgjësimin apo largimin me forcë të një minoriteti mbi baza etnike dhe fetare nga territori grek. Sot sipas regjistrimit të popullsisë në Greqi, numri i shtetasve grekë që deklarojnë origjinën shqiptare është me gishtat e dorës.

Ne sot kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që t’imponojë Greqisë, një shtet anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian: a)Pranim publik të fajit prej Greqisë shtetit shkaktar të këtij gjenocidi;b) dëmshpërblime për familjarët e viktimave të pafajshme të këtij gjenocidi;c) Mundësi për anëtarët e Komunitetit tonë për të vizituar tokat dhe varret e të parëve; d) Ngritje e lapidareve apo monumenteve që nderojnë të vdekurit dhe të vrarët e asaj periudhe dhe heqje e memorialëve të atyre që shkaktuan masakrat mbi popullsinë shqiptare çame;e) Restaurim të së drejtës së pronësisë; f) Amendim të ligjeve të vitit 1970-1980 në ato nene që ndalojnë ish shtetasit grekë me kombësi shqiptare të rikthehen. Këto nene bien në kundërshtim me European Convention of Human Rights apo Deklaratën Universale të të drejtave të njeriut të OKB dhe Konventën Evropiane të të drejtave të njeriut, që ndalojnë çdo lloj diskriminimi mbi bazën e kombësisë; g) Realizim të së drejtës së rikthimit në tokat e tyre të të gjithë atyre që e duan një gjë të tillë duke rifituar statusin e para Luftës së dytë botërore;h) Kompensim eventual të pronave të konfiskuara, dhe pagim të gjithë detyrimeve ligjore nga shfrytëzimi i këtyre pronave, depozitave bankare, fabrikave, trojeve bujqësore apo për ndërtim, etj. e)Ndalimin e diskriminimit te vëllezërve Çamë ortodokse qe jetojnë ne trojet e tyre ne Greqi dhe dhënien e te gjithë te drejtave si për çdo minoritet tjetër ne përputhje me Konventat Ndërkombëtare per Minoritetet.

Opinioni shqiptar jashtë kufirit të shtetit shqiptar shumë pak ka njohuri për gjendjen momentale në tokat çame, që shtrihet në territorin e shtetit grek. Cila është gjendja momentale atje dhe a mund të thuhet se ai territor është i asimiluar totalisht?

Po një pyetje shumë interesante. Në Greqi sot jetojnë rreth 100 mijë shqiptarë çamë, kryesisht të komunitetit ortodoksë, të cilët duken të asimiluar, por nuk janë. Lexoni për të kuptuar më shumë intervistën e përfaqësuesit të shquar të këtij komuniteti, Niko Stillo, i cili e thekson me forcë shqiptarësinë e popullit të vet. Në familjet e tyre flitet shqip, këndohet shqip, megjithë frikën e tyre nga qeveritë greke që nuk lejojnë as një shenjë organizimi, apo afirmimi të identitetit të tyre të vërtetë. Presioni që është bërë mbi ta, është më i madh se ai për shembull mbi komunitetin sllavo-ortodoks i cili me siguri dhe me mbështetjen e qeverisë maqedonase, ka një parti të vogël, ka shoqata dhe vazhdon të kërkojë të drejtat me rrugë demokratike. Ju duhet t'i kuptoni arsyet e këtij presioni, e kësaj qasjeje greko-centrike të administratave greke që ushqehet nga Kisha prej shekujsh. Në tokat ku ne kemi jetuar ka gjurmë qytetërimi të lashtë, ka vazhdimësi të këtij qytetërimi, ka një folklor që është më i miri në botë, të cilin grekët e shesin si të tyren. Pas gjenocidit mbi shqiptarët myslimanë, kryer në valë të ndryshme deri në atë përfundimtaren e viteve 44-45, shqiptarët e Greqisë kanë parë tmerre të mëdha, kanë njohur presion të vazhdueshëm asimilues, ç’kombëtarizues, ndaj dhe e kanë të vështirë të shpalosin me forcë identitetin e tyre kombëtar. Por unë jam i bindur se njëlloj shoku kulturor, do t'i zgjojë ata. Për shembull, jam i bindur se nëse ata do të ndiqnin koncertin e mrekullueshëm që ne organizuam në Qafë Botë, me këngët dhe vallet tona të jashtëzakonshme, ata do të prekeshin, do të përloteshin dhe do ta pyesnin veten e tyre: a jemi ne shqiptarë? Kjo është forca e kulturës popullore, ajo s'vdes kurrë. Ajo është themeli i përbashkët i dy krahëve të komunitetit tonë, atij mysliman dhe atij ortodoks. Ky themel mbijeton siç tregohet vazhdimisht.

Ju sapo keni realizuar një vizitë zyrtare në Kosovë. Si i vlerësoni zhvillimet politike dhe të sigurisë atje?

Pata rastin të takohesha me të gjithë faktorët kryesorë politikë në Kosovë, ata tradicionalët dhe më të rinjtë si Vetëvendosja. U takuam me të gjithë krerët institucionalë, presidentin, kryeministrin, kryetarin e parlamentit, e pse jo dhe me veteranët e UÇK-së. Kudo pata rastin të ndieja respekt dhe vlerësim për forcën tonë të re politike, ftesa për bashkëpunim në të ardhmen dhe gjeta mes popullit kosovar, një ndjeshmëri të lartë për tragjedinë tonë. Kush më mirë se kosovarët do të na kuptonte dhimbjen tonë, luftën tonë?

Sa për zhvillimet politike dhe të sigurisë mund të them se më vjen mirë se klasa politike shqiptare ruan një shkallë të lartë uniteti dhe mirëkuptimi përballë problemeve të përbashkëta, megjithë ndarjet e mirë-kuptueshme. Shqiptarët për fat të mirë kanë në krah të tyre Perëndimin, diçka që nuk e kanë patur për shembull në vitet 40, edhe për faj të tyre, sepse zgjodhën me imponim komunizmin. Pra sot jemi më të fortë, dhe ndaj ne kemi besim se do të përballemi si duhet me sfidat e reja, apo dhe më të vjetrat si çështja çame.

Ju arritët të realizoni marrëveshje me disa forca politike. Cili është synimi i këtyre aleancave të reja politike në nivel ndërshqiptar brenda dhe jashtë shtetit shqiptar?

Shikoni, ne nuk i kemi shfrytëzuar ashtu si vendet e tjera në rajon, potencialet e të qenit të bashkuar. Të gjithë vendet amë, bashkëpunojnë ngushtë me popullsitë e tyre, ndërsa ne jo. Ndaj si forcë politike ne po e afirmojmë me forcë bashkëpunimin panshqiptar, midis forcave politike, faktorëve shoqërorë, kulturorë, e pse jo dhe shteteve tona. Qëllimi është i përbashkët: afirmimi i kombit tonë, sigurimi i një statusi dinjitoz për këtë komb në përputhje me forcën e tij, me potencialin e tij.

Gjithashtu edhe “Komonuelthi ekonomik” ndërmjet shqiptarëve në rajon është një ide e hedhur nga PDU. Sa mund të jetë i realizueshëm ky projekt ?

Në fakt kjo është një ide e hedhur prej kohësh nga Arbër Xhaferri, një figurë kombëtare që ne e vlerësojmë mjaft. Si ekonomist që jam, unë kam ndjeshmëri të madhe për problematikat ekonomike të kombit. E ndiej që siç thashë nuk janë shfrytëzuar të gjithë potencialet tona, ekonomike më së pari, për të cilat nuk kemi pengesa. Ne duhet ta institucionalizojmë këtë bashkëpunim, të krijojmë një treg të përbashkët ekonomik, të ndërtojmë Korridorin tetë, të ndërtojmë ekonomi komplementare,të rrisim pavarësinë ekonomike kombëtare dhe t'i imponohemi të tjerëve. Por mbi të gjitha për të rritur mirëqenien tonë. Shqipëria etnike e viteve 12, nëse do të ndahej ishte perfektë. Kishte të gjitha burimet natyrore për të mbijetuar ekonomikisht dhe politikisht. Prandaj dhe e ndanë. Po sot ne do të fillojmë t'i rikrijojmë hapësirat kombëtare të përbashkëta, duke filluar nga ekonomia.

Në Maqedoni, përveç problemeve të pazgjidhura të shqiptarëve, duke mos u implementuar tërësisht marrëveshja e Ohrit, tanimë ekziston edhe një problem me grekët, por në këtë rast kjo ka të bëjë me çështjen e mosnjohjes së emrit Maqedoni nga pala greke. Sa jeni të njohur me këtë problematikë?

Sigurisht që jemi të njohur. Ne e vlerësojmë qëndrimin dinjitoz të Maqedonisë ndaj Greqisë dhe faktin se ajo në diskutimet e vazhdueshme për këtë çështje, ka ngritur dhe problemin e sllavomaqedonasve të Greqisë,të cilët patën të njëjtin fat me shqiptarët dhe hebrenjtë. U përzunë nga Greqia për të krijuar një Greqi etnikisht të pastër, objektiv i pamundur dhe po aq kriminal sa komunizmi siç thoshte Haveli. Ne e vlerësojmë faktin se Maqedonia tregon dinjitet në marrëdhëniet me Greqinë, madje i është drejtuar dhe Gjykatës së Hagës. Greqia duhet ta kuptojë se nuk mund t'i krijojë probleme të gjithë popujve në rajon, në emër të gjoja një tutorati mbi Ballkanin e paintegruar.

Sigurisht Maqedonia, pjesa sllave e saj, më saktë klasa politike gabon, duke e ekzagjeruar me projektet e veta për të theksuar karakterin sllav të këtyre tokave. Kjo klasë politike duhet ta kuptojë se mbijetesa politike e këtij vendi është e lidhur me një aleancë historike me shqiptarët. Ne si komb, Shqipëria politike e kemi treguar vullnetin e mirë, i takon Maqedonisë politike ta tregojë këtë në mënyrë të sinqertë, duke i dhënë shqiptarëve të gjithë të drejtat që i takojnë, sipas Marrëveshjes së Ohrit dhe pse jo dhe përtej saj. Unë e di se për mbijetesën e Maqedonisë janë të interesuar ato faktorë ndërkombëtarë që janë dhe miqtë tanë të përbashkët. Por këshilla e tyre është: aleancë me shqiptarët. Mjerisht deri më tani, kjo gjë nuk po kuptohet sa duhet...

Cila mendoni se duhet të jenë zgjidhja e kësaj çështje dhe a duhet që shqiptarët të jenë faktor kyç në këtë proces të zgjidhjes së emrit dhe zhbllokimit të proceseve euro-integruese në Maqedoni?

Sigurisht shqiptarët duhet të jenë faktorë kyçë, por deri më tani ata nuk kanë qenë. Si pasojë e mungesës së unitetit mes faktorit shqiptar, që unë e identifikoj si problemin më të madh, maqedonasit po negociojnë të vetëm me grekët dhe nga informacionet që kam, po arrihet drejt një zgjidhje.

Gjithsesi ajo që dua të them është se me integrimin e Maqedonisë BE dhe NATO, statusi i shqiptarëve do të përparojë dhe më shumë. Por ama vetë shqiptarët duhet të kuptojnë se nuk mund të konsumojnë midis vetes më shumë konflikte apo animozitet sesa me maqedonasit...

(Intervistoi: N.Pajaziti/INA)

Kush është deputeti dhe lideri çam

Shpëtim Idrizi është 43 vjeç dhe ekonomist nga profesioni. Ai ka qenë nga studentët e parë të fakultetit të tij që iu bashkua Lëvizjes Demokratike të dhjetorit 1990 dhe themelues i PD-së. Pas një eksperience në nivele të larta të administratës publike në qeverinë e parë demokratike Idrizi iu shkëput politikës përkohësisht për t'ju përkushtuar biznesit privat duke mbetur gjithsesi ndjekës i vëmendshëm i saj. Ai ka qenë me cilësinë e teknicienit Drejtor i tatimeve të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtor i Doganave gjatë qeverisë Nano 2002-2005. Deputet për herë të dytë, Idrizi, i cili i përket komunitetit çam nga i ati dhe tiranas nga e ëma, e la Partinë Socialiste, për t'ju përkushtuar një partie të re, që kishte si bosht të saj, zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, në veçanti asaj çame. Ai bashkë me Dashamir Tahirin, deputetin tjetër të zgjedhur në Qarkun e Vlorës, përfaqësojnë këtë komunitet dhe janë grupi i katërt parlamentar, duke ofruar shembullin e partisë së vetme me karakter kombëtar në Kuvendin e Shqipërisë. Ai është pjesë e delegacionit parlamentar të Shqipërisë në Këshillin e Evropës dhe anëtar i grupit Liberal në atë forum evropian. Shpëtim Idrizi, i martuar, me dy fëmijë, flet dy gjuhë të huaja.

KOMENTE