Shqipëri- Kosovë: Thellim I Bashkëpunimit Në Fushën E Drejtesisë
-Gjate takimit që ministri i Drejtesise Bujar Nishani pati me ministrin e Drejtesisë së Kosovës, Haki Demolli në Tiranë-
TIRANË, 21 Korrik/ATSH/ - Shqipëria dhe Kosova do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e drejtësisë. Ishte ky mesazhi që përcolli ministrat e Drejtësisë, Bujar Nishani dhe i Kosovës, Haki Demolli, në një konferencë shtypi, pas një takimi që patën pasditen e së mërkurës në Tiranë.
Ministri Nishani pasi falenderoi kolegun kosovar për vizitën në Shqipëri, bëri të ditur ditur detaje nga takimi në ministrinë e Drejtësisë.
"Diskutuam gjerësisht rreth një bashkëpunimi shumë të frytshëm që kemi pasur deri tani në fushën e bashkëpunimit juridik si dhe shkëmbimit të informacioneve të ndryshme dhe të domosdoshme për institucionet tona. Gjeta rastin të falenderoj kolegun Demolli dhe gjithë stafin e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës për këtë bashkëpunimin shumë të mirë, bashkëpunim, i cili u gjet i domosdoshëm për t'u thelluar akoma më shumë në të gjitha fushat që mbulon ministria e drejtësisë", tha Nishani.
Të dy zyrtarët e lartë shprehën angazhimin për nënshkrimin së shpejti të disa marrëveshjeve të reja në fushën e ekstradimeve, fushën juridiksionale, të Shërbimit të Provës, Shërbimit Përmbarimor etj.
"Ky bashkëpunim dhe thellimi i tij, i shërben jo vetëm shkëmbimit të eksperiencës misdis dy institucioneve tona por, i shkon në shërbim tërësisht një objektivi të përbashkët që kanë të dy Qeveritë, bashkërendimin në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korruposionit, shërbimit ndaj sigurisë dhe stabilitetit të dy vendeve tona, natyrisht të reflektojnë kontribute jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por në të gjithe rajonin", tha Nishani.
Të njëjtin mendim shfaqi dhe Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Haki Demolli, i cili konfirmoi se, në takim u bë prezantimi i punës, aktivitetit të ministrive dhe u identifikuan fushat ku do të thellohet bashkëpunimi institucional.
"Të dy ministritë do të thedhojnë bashkëpunimin në nivel ekspertesh në disa fusha si për Noterinë, Shërbimin e Provës, etj", tha ministri Demolli. /a.m//a.ke/