English

Shqipëria dhe imazhi i saj frymëzues

Ne duam të sigurohemi që Shqipëria deri në vitin 2015 do të jetë pozicionuar me imazhin e saj frymëzues, si një vend i gjallë, tërheqës dhe mikpritës me destinacione të shumta turistike bazuar në kulturën dhe bukuritë e saj

Nga Ferdinand Xhaferaj*

Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Turizmi është në rritje të vazhdueshme dhe do të jetë për shumë vjet një nga promotorët kryesore të rritjes ekonomike të vendit tonë. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit janë bërë tashmë lider të promovimit të burimeve turistike te Shqipërisë.

Misioni ynë është të punojmë ngushtësisht me sektorin privat për të fuqizuar më tej në tregjet ndërkombëtare pozicionin e Shqipërisë dhe të turizmit shqiptar.

Tashmë Shqipëria së bashku me Kroacinë, Malin e Zi dhe vendet e tjera të rajonit konsiderohen si Destinacione të Ballkanit me një popullaritet në rritje. Operatorët Turistikë dhe Shkruesit e Guidave të Udhëtimit janë tashmë familjarë me Shqipërinë (Shqipëria është pasqyruar gjerësisht në programet dhe itineraret turistike por edhe në artikuj të veçantë të medias së shkruar dhe vizive).

Shqipëria është përshkruar si sekreti i fundit i Evropës për shkak të trashëgimisë së saj të pasur kulturore, historike, bukurisë dhe peizazhit të mrekullueshëm natyror.

Realiteti i sotëm Shqiptar ofron për vizitorët e huaj Tre Qendra të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të cilat plotësohen nga trashëgimia jashtëzakonisht e vlefshme kulturore shpirtërore, siç janë tradita e këngës iso-polifonike, dizenjo të njohura tekstilesh, dhe lidhjet ekzemplare kulturore ndërmjet besimeve (Xhamitë, vendet myslimane, Kishat Ortodokse dhe Katolike, manastiret, Teqet e Bektashinjve), muret Bizantine, gjurmët e qytetërimit Romak dhe qytetërimeve të tjera të gjitha këto dëshmojnë për pikat e takimit ndërmjet popujve dhe civilizimeve të ndryshme, dhe për një histori të pasur e të ndryshme kulturore e cila ka evoluar përgjatë më shumë se tre mijëvjeçarëve.

Ne duam të sigurohemi që Shqipëria deri në vitin 2015 do të jetë pozicionuar me imazhin e saj frymëzues, si një vend i gjallë, tërheqës dhe mikpritës me destinacione të shumta turistike bazuar në kulturën dhe bukuritë e saj.

Botimi i National Geographic Traveler mbështetur nga USAID është një Udhërrëfyes ideal për turistët dhe biznesmenët që vijnë në Shqipëri. Ky botim, jo vetëm që ndihmon në promovimin e potencialeve turistike të Shqipërisë por edhe në prezantimin e mundësive për investim dhe biznes në vendin tonë të lidhura këto ngushtë me njëra-tjetrën.

Kjo është një periudhë e mrekullueshme për industrinë turistike Shqiptare, dhe botime të tilla kanë për qëllim ti bëjnë të njohur gjithë audiencës së interesuar në mbarë botën Shqipërinë tonë, Shqipërinë e vërtetë.

Më parë gazeta të njohura si Corriere Della Sera, The Guardian, Helium, and USA Today kanë shkruar artikujt e tyre për Shqipërinë turistike, serisë së të cilave i shtohet edhe Suplementi mbi Vendet e Ballkanit Perëndimor i National Geographic, një botim cilësor, një meritë e stafit të USAID, që padyshim do të bëjë çdo Shqiptar krenar për vendin e tij dhe potencialin e fuqishëm të turizmit tonë.

Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kanë vendosur turizmin një prioritet kombëtar. Ai është pjesë e rëndësishme e axhendës shtetërore, të biznesit, si dhe një element kyç për krijimin e vendeve te punës. Dëshiroj të theksoj se deri më tani, shifra e turistëve të ardhur në Shqipëri ka kaluar numrin një milion. Ne shpresojmë dhe po punojmë që numri i turistëve që do të vizitojnë Shqipërinë deri në fund të këtij viti do të jetë rreth 3,5 milion turistë.

(*) Fjala e mbajtur sonte, në ceremoninë e Prezantimit të Suplementit të National Geographic Traveler mbi Ballkanin Perëndimor

KOMENTE