English

Sport-Merkato/Merkato E Superligës, Klubet Përforcojnë Organikën

TIRANË, 21 Korrik/ ATSH-Gjergji Mima/. - Ekipet e Superligës vijojnë fazën përgatitore për sezonin e ri, ndërkohë që po tregohen mjaft aktivë në merkaton e futbollistëve. Fituesja e Kupës sezonin e shkuar, Besa e Kavajës, ka konfirmuar blerjen e futbollistit Sead Haxhibuliç. Sulmuesi boshnjak 27-vjeçar i cili nënshkroi një kontratë dyvjeçare me presidentin Nexhat Bizhdili. Haxhibuliç, më parë në Shqipëri, ka luajtur me Apoloninë dhe Vllazninë. Tek Besa janë dhe dy lojatarë të tjerë boshnjakë: Edin Ferizoviç dhe Semir Haxhibuliç. Sulmi kavajas tani kompletohet me Sead Haxhibuliçin, brazilianin Markos Dos Santos dhe talentin Sokol Cikalleshi. Largimet e titullarëve të edicionit që shkoi ku skuadra e Laçit regjistroi suksesin e saj më të mirë historik, duke marrë pjesë në Kupat e Europës, nuk kanë të mbaruar. I fundit në radhë është portieri Ervin Llani, që ka lënë fanellën bardhezi, për të veshur atë verdheblu të Elbasanit. Llani ka mbyllur gjithçka me drejtuesit e Elbasanit, duke hedhur edhe firmën mbi kontratë, ç'ka e bën atë zyrtarisht lojtar verdheblu për sezonin e ri. Në këtë mënyrë Llani hap një tjetër problem nga ato të shumtat tashmë, në skuadrën e Laçit, pas largimeve të kapitenit Brahja, mbrojtësve Çela dhe Nina, mesfushorit Veliaj dhe sulmuesit Nora. Nga ana tjetër Elbasani mbyll një nga pikat më kyçe të një skuadre futbolli, siç është porta, duke afruar një emër të spikatur në kampionatin shqiptar në këtë rol, Ervin Llani. Apolonia në Kategorinë e Parë ka afruar në radhët e saj mbrojtësin brazilian Luiz Da Silva. 24-vjeçari ka luajtur në vendin e tij me skuadrën Poeçet. Trajneri Ernest Gjoka ka kërkuar edhe shërbimet sulmuesit Albjon Blloku (26 vjeç), ky i fundit sezonin e kaluar luajti me Kamzën. Besëlidhja konfirmoi nënshkrimin me tre lojtarë. Trajneri i ri Alban Bruka do të ketë nën urdhrat e tij dy mbrojtësit e njohur lezhajnë, Henri Ndreka (27 vjeç) dhe Alert Alcani (30 vjeç), si dhe sulmuesin laçjan, Eduard Tanushi (27 vjeç). Ndërkohë, lëvizje ka pasur edhe përsa i përket drejtuesve të klubeve. Kështu, Ali Dyrmishi, ish-president i Shkumbinit, do të jetë tashmë presidenti i ri i Tomorit të Kategorisë së Parë. Presidenti i kompanisë "Osumi Travel" gjeti akordin me kryetarin e Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi. Artan Djala do të jetë edhe për sezonin e ri aksioneri kryesor i Kastriotit. Djala ka arritur marrëveshjen me kryetarin e Bashkisë së Krujës, Lulëzim Guni. /a.s/
KOMENTE