Topi Dekreton Ligjin "Për Inspektimin Financiar"
TIRANË, 21 Korrik/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi sot shpalljen e ligjit "Për inspektimin financiar publik", të miratuar në Kuvend pak javë më parë.
Ligji, që i shërben rritjes së përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës në menaxhimin e fondeve publike, është një hap i rëndësishëm në reformat e Qeverisë kundër korrupsionit dhe njëkohësisht plotëson detyrimet që rrjedhin nga dokumentet strategjike të proceseve integruese.
Ai bën një ndarje të qartë mes inspektimit dhe auditimit, garanton konstatimin në kohë të rasteve të abuzimit me fondet publike dhe është në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe me direktivat e Bashkimit Europian.
Gjithashtu, Kreu i shtetit dekretoi sot dhe shpalljen e ligjit "Për menaxhimin financiar dhe kontrollin", si dhe "Ratifikimin e konventës së Qendrës së Zbatimit të Ligjit në Europën Juglindore" dhe ratifikimin e "Marrëveshjes, ndërmjet shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut për bashkëpunimin për informacionin atomik". /a.s//a.ke/