Trupa Shtesë Për Sigurinë Në Afganistan
-Deklaroi zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta në konferencën ndërkombëtare të Kabulit, në Afganistan-
TIRANË, 21 Korrik/ATSH-A.Gegvataj/.- "Si anëtar i NATO-s kemi vendosur të shtojmë pjesëmarrjen në ISAF me një kontingjent shqiptar shtesë prej 85 trupash ushtarake, ku 44 prej tyre do të jenë trupa luftarake, që do të angazhohen në operacione të rrezikshme luftarake", deklaroi zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta në konferencën ndërkombëtare të Kabulit, në Afganistan.
Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur sot se në gjatë konferencës, shefi i diplomacisë shqiptare foli për kontributin që jep Shqipëria në ruajtjen e sigurisë në Afganistan, si dhe fazat që duhen ndjekur për tranzicion të balancuar.
Meta theksoi se "vendi im do të ofrojë 100 bursa studimi për studentët afganë, do të caktohen 30 ekspertë në kuadrin e Ekipeve Operative të Kujdestarisë Policore, si dhe Ekipe Provizore të Rindërtimit dhe Misionit të Trajnimit të NATO-s në Afganistan".
Ministri i Jashtëm shqiptar bëri të ditur së "gjatë kësaj periudhe, Forcat e Armatosura Shqiptare kanë dislokuar në terren një numër të përgjithshëm prej 1060 trupash ushtarake; 251 prej tyre tani janë vendosur në zonat më të ndjeshme të vendit".
Shefi i diplomacisë shqiptare vuri theksin edhe mbi rëndësinë që ka zhvillimi i mëtejshëm i pranisë Ndërkombëtare në Afganistan.
"Për realizimin e një tranzicioni të pakthyeshëm ne duhet të jemi të aftë të trajtojmë siç duhet çështjet politike që kanë ndikim direkt mbi sigurinë, si dhe gjetjen e zgjidhjeve të duhura", nënvizoi ai.
Sipas Metës pjesë e zgjidhjes politike duhet të jetë pajtimi, si një kusht i domosdoshëm për paqe të qëndrueshme.
"Një pajtim i tillë duhet të mbështetet mbi dy kushtet bazë, të cilat janë të panegociueshme: denoncimi i dhunës dhe terrorizmit, si dhe respektimi i Kushtetutës afgane", deklaroi Meta.
Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta pohoi se "komuniteti ndërkombëtar duhet ta ndihmojë dhe nxisë këtë proces nëpërmjet ndërtimit të institucioneve civile, trajnimit, arsimimit dhe përmirësimit të infrastrukturës së domosdoshme fizike".
Ai e cilësoi të rëndësishme edhe nismën e vendeve anëtarë të Kartës së Adriatikut për krijimin e një ekipi të përbashkët në trajnimin e ushtarakëve për të vepruar në Afganistan.
Sipas Metës "Afganistani duhet të punojë ngushtësisht me fqinjët e tij për sigurinë e kufijve, parandalimin e trafikut të drogës dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme ndërkombëtare".
"Çelësi i një rezultanteje është Pakistani, që kërkojnë një qasje të përbashkët në identifikimin e rreziqeve dhe interesave të përbashkëta mbi të cilat mund të ndërtohet mirëbesimi i përbashkët", përfundoi zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta.
Në konferencën ndërkombëtare të Kabulit morën pjesë përfaqësues të lartë politikë nga më shumë se 70 vende të botës./a.s/