Prishtinë, 21 Korrik, NOA - Unioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një deklarate, ka përshëndetur sot raportin e Organizatës “Reporterët pa kufij” në të cilën pasqyrohet gjendja e lirisë së mediave në Kosovë.
“Shqetësimet e dala në këtë raport për gjendjen e mediave në Kosovë, janë shqetësuese edhe për Unionin, i cili vazhdimisht ka kërkuar nga mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar përmirësimin e gjendjes së gazetarëve”, thuhet në këtë deklaratë.
Duke shtuar se ashtu siç edhe është prekur në raportin e Organizatës “Reporterët pa kufij”, edhe UGK, konsideron se gazetarët ballafaqohen me shumë vështirësi në kryerjen e punës së tyre profesionale e sidomos përmes presioneve të ndryshme qoftë nga politika qoftë nga grupe të ndryshme të interesit.
“Unioni i Gazetarëve të Kosovës, u bën thirrje institucioneve të Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare në vendin tonë që të punojnë dhe të bëjnë më shumë për krijimin e kushteve sa më të mira për gazetarët dhe mediat në përgjithësi”, shtojnë më tej drejtuesit e UGK-së.
Duke përfunduar se Unioni i Gazetarëve të Kosovës është i bindur se çdo përpjekje për integrimin e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare do të jetë në mëdyshje nëse nuk do të ketë siguri dhe liri të plotë për mediat.
“UGK u bën thirrje të gjithë kolegëve që të punojnë për lirinë e shprehjes dhe të mos bien pre e provokimeve nga njerëzit që i pengon fjala e lirë”, përfundon deklarata në fjalë.
n.e/NOA