English

Vlore: Arm Gjobit Bashkine Me 1 Milione Leke Per Mbetjet Urbane

VLORE, 21 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Agjencia Rajonale e Mjedisit (ARM), gjobiti sot Bashkinë e qytetit të Vlorës me një shumë prej 1 milionë lekë për situatën e rëndë të krijuar me ndotjen në fushën e hedhjes së mbetjeve urbane, si rrjedhojë e djegies së vazhdueshme të tyre. Drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Geron Gumbardhi, tha për ATSH-në se, gjendja e krijuar në fushën e hedhjes dhe depozitimit të mbetjeve urbane, është mjaft e rëndë dhe përkundër kësaj, bashkia nuk ka marrë asnjë masë. "Çdo ditë aty digjen dhjetra tone mbetje, duke shkaktuar pasoja mjaft të rënda për mjedisin në qytet", tha ai duke sqaruar se "kjo ishte arsyeja e aplikimit të këtij sanksioni financiar, që do të pasohet me masa të tjera administrative, nëse bashkia nuk do të reagojë për të përmirësuar gjendjen". Fusha e hedhjes së mbeturinave në periferi të qytetit të Vlorës është shndërruar prej kohësh në një shqetësim për banorët, për shkak të distancës së afërt të saj me qytetin dhe problemet që krijon me ndotjen, si pasojë e djegies së mbetjeve. /a.ke/
KOMENTE