Afganistan - Mullen: Transferimi I Sigurisë Në 2014-N I Arsyeshëm
NJU DELHI, 22 korrik /ATSH-AFP/ - Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, admirali Michael Mullen, e vlerësoi sot "të arsyeshëm" objektivin e presidentit afgan Hamid Karzai për të garantuar sigurinë me forcat e veta në Afganistan duke filluar nga viti 2014.
"Tani për tani, kjo më duket e arsyeshme dhe jam dakord me objektivin e 2014-s", u deklaroi Mullen gazetarëve në një avion rrugës për në Nju Delhi.
Presidenti afgan e ka përmendur për herë të parë transferimin e sigurisë së vendit tek forcat afgane në vitin 2014, që sot sigurohet nga forcat ndërkombëtare, në një fjalim gjatë rizgjedhjes së tij në vitin 2009.
Projekti i tij mori të martën mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar i mbledhur në Kabul, i cili e bëri të vlefshëm planin e tij të punës.
Për sa i përket politikës së dorës së shtrirë të presidentit Karzai kundrejt talebanëve, që synon çarmatosjen e rebelëve të cilët luftojnë më tepër nga nevoja se sa për ideologji, Michael Mullen, u shpreh i kujdesshëm.
Sipas tij, një strategji e tillë mund të dalë e suksesshme vetëm kur forcat ndërkombëtare dhe ushtria afgane do të kenë triumfuar në terrenin ushtarak.
"Mendoj se duhet të jemi më të fortë. Këtë nuk e kemi arritur akoma", theksoi ai.
Mullen u shpreh gjithashtu optimist lidhur me perspektivat për të vënë nën kontroll rebelimin e talebanëve në muajt e ardhshëm, duke përmendur shembullin e luftës në Irak, ku, sipas tij, forcave amerikane iu desh një periudhë prej 18 muajsh për të arritur fitoren.
Sipas tij, pavarësisht një lufte prej nëntë vjetësh, vetëm që prej dy vjetësh forcat ndërkombëtare kanë siguruar efektivat dhe burimet e nevojshme për misionin e tyre.
Presidenti amerikan Barack Obama njoftoi se trupat e para amerikane do të largohen nga vendi në korrik të vitit 2011, duke mos u shprehur qartë lidhur me numrin e ushtarëve që do të tërhiqen.
Aktualisht janë rreth 145 000 ushtarakë të huaj të vendosur në vend për të luftuar kundër një rebelimi taleban që është vazhdon të forcohet që prej ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare në fund të vitit 2001.
/I.Pu.