Berisha:Besoj Në Një Gjykim Të Drejtë Dhe Të Ndershëm Të Haradinajt Nga Gjykata Hagës
TIRANË, 22 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Kryeministri Sali Berisha përshëndeti të enjten qëndrimin me të cilin kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj iu përgjigj thirrjes së Gjykatës së Hagës, teksa kjo gjykatë urdhëroi rigjykimin e ish-kryeministrit të Kosovës duke shprehur besim në një gjykim të drejtë dhe të ndershëm nga kjo trupë gjyqësore ndërkombëtare.
"Përshëndes dinjitetin me të cilin komandanti legjendar i luftës çlirimtare të Kosovës Ramush Haradinaj ju përgjigj thirrjes së Gjykatës së Hagës dhe Ligjit ndërkombëtar. Mos harrojmë se Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës kur u kërkua në Hagë dhe ai atëhere nuk kërkoi as imunitet, por dha dorëheqjen dhe u paraqit si qytetar i thjeshtë i Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare, akt që i bëri nder mbarë Kosovës dhe çdo shqiptari", u shpreh kryeministri Berisha gjatë një konference për shtyp.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se qëndrimi i përgjegjshëm i z. Haradinaj është në kundërshtim me atë të kriminelit të luftës, serbit Radko Mlladiç, i cili dhe 15 vjet pas masakrës së Srebenicës vazhdon t'i fshihet drejtësisë.
"Nëse z. Haradinaj shpëtoi nga kthetrat e vdekjes qindra e mijëra qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe i përgjigjet Gjykatës sa herë që e thërret, një kasap, një xhelat i vërtetë i njerëzve të pafajshëm si Radko Mlladiç rri në vrimën e miut dhe fshihet edhe në 15-vjetorin e masakrës më të madhe të pasluftës së Dytë Botërore", theksoi kryeministri.
"Gjykata e Hagës, vijoi kryeministri, ka një eksperiencë të madhe. Ajo ka gjykatës me integritet të lartë dhe z Haradinaj gjatë Luftës së Kosovës u ka shpëtuar jetën me guximin e trimërinë e tij qindra e mijra grave, fëmijëve, burrave, të moshuarve e qytetarëve të Kosovës, të cilët pa ndihmën e tij do të kishin qënë pre e praktikave barbare e ekstremiste të falangave serbe".
Një ditë më parë Gjykata ndërkombëtare për krime lufte në ish-Jugosllavi urdhëroi rigjykimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij të akuzuar për krime lufte. Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës, anuloi pjesërisht vendimin e Gjykatës të prillit 2008, e cila e kishte shpallur të pafajshëm z. Haradinaj.
/f.n/