Tiranë, 22 korrik, NOA – Ndizen debatet pasi kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli refuzoi ta hedhë në votë heqjen e projektligjit që sipas saj është deklaruar për të qenë në rend të ditës, duke e quajtur antikushtetuese një lëvizje të tillë.
Debatin pas Ruçit e vijoi nënkryetari i Grupit Kuvendor të PS-së, Erion Braçe, i cili duke iu referuar refuzimit të kërkesës së drejtuar nga kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, i deklaroi kryeparlamentares Topalli se po shkel liritë bazë të njeriut, lirinë e fjalës.
Duke iu referuar diskutimeve të munguara për ligje të rëndësishme si ai i buxhetit dhe ky i SHISH, Braçe iu drejtua rishtas kryetares së Kuvendit, Topalli, se “Ju nuk dini asgjë se ç’diskutohet në komisione, se ju jeni gati 365 ditë të vitit në ajër, dhe jo në këtë vend, dhe është pikërisht ky problemi yt”.
“Ju nuk po dëgjoni propozimet e opozitës, dhe po sfidoni me këto ligje interesat e këtij vendi, të një populli të tërë, vetëm e vetëm për interesat tuaja të ngushta”, nënvizoi më tej deputeti Braçe.
Por, në replikën e saj të menjëhershme, kryetarja e Kuvendit iu përgjigj dhëmb për dhëmb, Braçes, duke justifikuar udhëtimet e saj si pjesë e punës për të mirën e vendit, dhe çështjeve më të rëndësishme kombëtare.
“Unë në çdo kohë, në çdo moment do bëj përpjekjet e mia nëpër botë për të mirën e Shqipërisë. Vend më vend do shkoj për të mbrojtur pavarësinë e Kosovës. Do të shkoj ku të mundem për të hequr vizat”, theksoi zonja Topalli, duke i kujtuar deputetit socialist se s’jemi në kohën e Enver Hoxhës.
Topalli vijoi më tej duke nxjerrë në pah se interesat e socialistëve gjatë gjithë sesionit janë krejt të rëndomëta, deri tek kërkesat për një rrotë makinë, për një dietë.
“Unë nuk ju akuzoj ju, se jeni të rinj si deputetë, por akuzoj këtu kryetarin e Partisë suaj, se ai ju bën të mos respektoni askënd, por të dilni me bilbila në sallën e kuvendit, ai ju nxjerr në protestë, duke nënkuptuar se është pikërisht kryatri i PS-së, Rama, ideator i kundërshtimeve të deputetëve të opozitës ndaj rendit të ditës në kuvend.
mit/NOA