English

Donte leje qarkullimi për makinën, i rezultoi e vjedhur në Itali

Durrës, 22 Korrik, NOA – Donte të merrte leje provizore të qarkullimit për automjetin e tij, por gjatë verifikimit, autoritetet zbuluan se ai rezultonte i vjedhur gjatë muajit prill në Itali.

Fjala është për 34-vjeçarin me inicialet E.T., lindur në Elbasan dhe banues në qytetin e Durrësit, ndaj të cilit siç bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Kjo pasi ai është paraqitur ne sportelin e dhënies së lejeve të qarkullimit provizore pranë Sheshit të Trageteve, me praktikën e zhdoganimit të automjetit Renault Megane me targa CS508SL.

Por nga verifikimi që punonjësit e Policisë Kufitare të Portit të Durrës bënë në bazën e të dhënave, rezultoi se mjeti i mësipërm ishte i vjedhur në Itali.

Nga ana e forcave të policisë, u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i automjetit dhe dokumentacionit të tij, ndërsa materialet për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorike iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit.

n.e/NOA

KOMENTE