English

Ekon - Hungari - Parlamenti Voton Masat Ekonomike, Taksë Edhe Për Bankat

BUDAPEST, 22 korrik /ATSH-ANSA/ - Parlamenti hungarez votoi sot, në seancën e fundit para pushimeve verore, paketën me masa ekonomike të qeverisë konservatore të kryeministrit Viktor Orban, e cila mban edhe një taksë të kripur për bankat. Ndërkohë Orban njoftoi për fundin e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar që u arrit në tetor të vitit 2008 për një kredi 20 miliardë euro. Kjo marrëveshje nuk u rinovua dhe do të skadojë në tetor. Hungaria është vendi i parë i Bashkimit Evropian që vendos një taks për bankat. Kjo masë e përkohshme parashikon për bankat tregtare dhe institutet financiare pagesën e rreth 715 milionë euro gjatë këtij vitit dhe të njëjtën shumë për dy vitet e ardhshëm. FMN-ja, pas bisedimeve që përfunduan pa ndonjë rezultat javën e kaluar, deklaroi se e konsideron si joproduktive këtë masë të Hungarisë. Paketa përmban edhe disa masa të tjera të rëndësishme që u shpallën që në fillim të qershorit, ndër të cilat një tavan për pagat (7500 euro në muaj) e sektorit publik. Orban premtoi se "Hungaria do t'i respektojë angazhimet për ta mbajtur deficitin në 3.8 për qind të PBB-së gjatë vitit 2010. Hungaria e konsideron të mbyllur marrëveshjen me FMN-në dhe nuk mundet ta prek këstin e fundit të kredisë (rreth 5 miliardë euro). /e.v/
KOMENTE