English

Ekspertet: Dyfishimi I Eksporteve Ka Rivitalizuar Ekonomine

TIRANE, 22 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Rritja e prodhimit vendas dhe zhvillimi i disa sektorëve prioritarë, jane sipas ekspertëve, disa nga arsyet që kanë çuar në dyfishimin e eksporteve 4-mujorin e parë të këtij viti. Këshilltarja pranë kryeministrit, Suzana Guxholli dhe eksperti Ardian Civci, thonë se rritja e eksporteve ka rivilitalizuar ekonominë, duke i dhënë nxitje investimeve. "Rritja e eksporteve në kohën e krizës, gati dyfishuar, janë shembull i faktit se ekonomia shqiptare po rimerr frymëmarrje, po zgjerohet, po rigjallërohet për të arritur ato ritme të larta që kishte para krizës. Rritja e eksporteve tregon se produktet shqiptare në tregun e huaj janë të kërkuara", është shprehur këshilltarja për ekonominë pranë kryeministrit, Suzana Guxholli. Por, rigjallërimi i ekonomisë shqiptare është konfirmuar dhe nga eksperti i ekonomisë, Ardian Civici. "Shifrat e fundit të katërmujorit tregojnë se ka një rritje të eksporteve dhe një rikthim të kësaj tendence drejt pozitivitetit dhe fakti se janë rritur importet, por janë rritur dhe eksportet në mënyrë të veçantë, dëshmon për një rigjallërim të ekonomisë shqiptare", është shprehur Civici. Për 5-mujorin e këtij viti, eksportet llogariten 85 %, më të larta me 72.8 miliardë lekë, ndërkohë 5 mujori i vitit të kaluar ishte 39.3 miliardë lekë. Ndërkaq, ecuri pozitive pritet edhe gjatë muajve në vazhdim, pasi është sezoni turistik ai që sjell të ardhura të konsiderueshme për ekonominë. "Unë them se treguesit do të jenë edhe më pozitivë dhe premtues, sepse flitet për turizmin dhe prurjet nga turizmi do të jenë shumë të mëdha", është shprehur këshilltarja e kryeministrit, Guxholli. Ndërsa eksperti Civici shpjegon se tremujori i parë i vitit është më i vështiri për ekonominë dhe situata pritet të ndryshojë pozitivisht në tremujorin e ardhshëm. "Përgjithësisht tremujori i parë është tremujori më i vështirë dhe përgjithësisht tremujori i dytë dhe tremujori i tretë ndër vite kanë treguar një rikthim në trendet pozitive të ekonomisë tonë", është shprehur ai. Sektori në të cilin është shënuar rritje e ndjeshme në eksport, është energjia ku për 5 mujorin e parë të vitit aktual, është 7.6 miliardë lekë, krahasuar më 1.2 miliardë lekë të të njëjtës periudhë të një viti me pare. -Rritja e prodhimit vendas ka rritur nivelin e eksporteve- Rritja e ndjeshme e eksporteve është një lajm i mirë për ekonominë shqiptare, pasi tregon për rritjen e prodhimit vendas dhe konkurrueshmërisë së tij në tregjet e huaja. Gjatë muajit maj, krahas eksporteve, rritje kanë shënuar edhe importet. Por, ritmet më të shpejta të rritjes së eksporteve kanë çuar në një reduktim të deficitit tregtar. Në fund të majit, ky tregues arriti vlerën e 23.7 miliardë lekëve. "Në maj u importuan 41.4 miliardë lekë mallra, me rritje 8.4 përqind në krahasim me prillin 2010 dhe rritje 10 përqind në krahasim me majin 2009. Deficiti tregtar i këtij muaji është 23.7 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 7.6 përqind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 19.2 përqind krahasuar me majin 2009", ka deklaruar Civici -62% e tregtisë me vendet e BE-së- Shqipëria realizon pjesën dërrmuese të shkëmbimeve tregtare me vendet europiane. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë muajit maj të këtij viti, 62 përqind e totalit të tregtisë u krye me Bashkimin Europian. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë realizohet 39.8 përqind e eksporteve dhe 27.9 përqind e importeve, kurse me Greqinë, eksporti është 5.3 përqind dhe importi 10.9 përqind. Disa nga partnerët tanë tregtarë, me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: për eksportin, Austri, Gjermani, Greqi, Maqedoni, Turqi etj dhe për importin, Gjermani, Itali, Kinë, Spanjë, SHBA etj. Gjatë muajit maj, rritje ka shënuar edhe importi i mallrave me akcizë, të njohura ndryshe si mallrat e luksit, ku përfshihen karburantet, cigaret, pijet alkoolike, birra, kafja etj. Sipas të dhënave, në maj 2010 importi i këtyre mallrave arriti vlerën 6 miliardë lekë, duke zënë 14.7 përqind ndaj totalit të importit. Krahasuar me muajin e mëparshëm, importi i mallrave me akcizë ka shënuar një rritje prej 8.6 përqind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara e zënë nënproduktet e naftës me 70.9 përqind të totalit. /a.ke/
KOMENTE