English

Gjnd - Kosovë - Be-Ja U Bën Thirrje Serbisë Dhe Kosovës Për Dialog

BRUKSEL, 22 korrik /ATSH-AFP/ - Shefja e diplomacisë së BE-së Catherine Ashton "përshëndeti" sot mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, GJND, për deklaratën e pavarësisë së Kosovës dhe u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit të shohin drejt së ardhmes duke dialoguar. "Bashkimi Evropian përshëndet publikimin e mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Po e shqyrtojmë me shumë kujdes atë", deklaroi ajo në një komunikatë. Ashton u shpreh se BE-ja "është e gatshme të lehtësojë një proces dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit", në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon. "Duke theksuar se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, GJND-ja ka hapur një fazë të re", u shpreh Ashton. "Tashmë prioritet duhet t'i jepet të ardhmes. E ardhmja e Serbisë është në Bashkimin Evropian, ajo e Kosovës gjithashtu, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimi rajonal dhe dialogu janë në themel të Bashkimit Evropian", theksoi shefja britanike e diplomacisë evropiane. Megjithatë, shtetet e BE-së janë të përçara lidhur me deklaratën e pavarësisë së Kosovës, të cilën pesë vende nuk e njohin deri tani: Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja. /I.Pu.
KOMENTE