Hagë, 22 Korrik, NOA – Gjithë bota shqiptare, por edhe ajo e rajonit të Ballkanit, i mban sot sytë dhe veshët të drejtuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila pritet të bëjë publik mendimin e saj këshill-dhënës për pavarësinë e Kosovës.
I kërkuar nga Serbia, ky vendim i GJND-së, pritët të përcaktojë paskëtaj një fazë të re për shtetin më të ri të botës, lidhur me forcimin e institucioneve si dhe integrimin drejt NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si një anëtare e tyre me të drejta të plota.
Ndërkaq, në seancën dëgjimore që u zhvillua pak muaj më parë në Hagë, 36 vende të botës dhanë argumentet e tyre me shkrim, pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës, ku 14 u deklaruan pro pavarësisë, 12 ishin kundër, ndërsa Burundi nuk u deklarua, ndërsa deri më sot atë e kanë njohur 69 vende.
Ditën e djeshme mediat e huaja u mbushën me reagime nga të gjitha palët për pritshmërinë e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku nga ana e tyre zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit shprehën besimin se Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë do të shprehet se deklarimi i pavarësisë së Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Ndërsa analistë kosovarë u shprehën optimistë dhe thanë se pas vendimit të GHND-së me siguri që do të ketë një valë të re njohjesh të shtetit më të ri të botës.
n.e/NOA