Hagë - Gjnd: Deklarata E Pavarësisë Nuk Ka Shkelur Të Drejtën Ndërkombëtare (2)
HAGË, 22 korrik /ATSH-AFP/ - Deklarata për pavarësinë e Kosovës "nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare", u shpreh sot Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, GJND në një mendim këshillues lidhur me ligjshmërinë e kësaj deklarate.
"Miratimi i deklaratës së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë rregull të zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare", deklaroi Hisashi Owada, kryetar i GJND-së, në Pallatin e Paqes në Hagë
"Gjykata arriti në përfudimin se deklarata për pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt në vitin 2008 nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutësn 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit, as kuadrin kushtetues", shtoi ai.
Beogradi arriti të sigurojë më 8 tetor të vitit 2008 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të drejtën për t'iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Gjashtëdhjetë e nëntë shtete, ndër të cilat Shtetet e Bashkuara dhe 22 nga 27 vendet e Bashkimit Evropian, e kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës.
Nga data një deri më 11 dhjetor të vitit 2009, Serbia, Kosova dhe 29 shtete, ndër të cilat Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, kanë marrë pjesë në një procedurë gojore në Hagë.
Uashingtoni edhe dje përsëriti "mbështetjen e plotë" për pavarësinë e Kosovës me rastin e një takimi të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi me zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden. Rusia, aleate tradicionale e Beogradit, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Që prej krijimit të saj në vitin 1946, GND-ja ka dhënë 24 mendime këshilluese me kërkesë të OKB-së.
/I.Pu. a.jor.
-
Anizel17:42 - 22 Korrik 2010...urime Kosoves...shpresojme qe shume shpejt do kete njohje te reja.Serbise nuk i mbetet gje tjeter, vetem te ndryshoje qendrimin e saj.