Kubë - Tre Ish-Të Burgosur Politikë Mbërrijnë Në Spanjë
MADRID, 22 korrik /ATSH-ANSA/ - Tre ish-të dënuar të tjerë politikë në Kubë mbërritën sot me familjet e tyre në Spanjë, pas 12 të tjerëve që mbërritën disa ditë më parë, njoftuan burime nga Ministria e Jashtme spanjolle në Madrid.
Ata janë Manuel Ubals, 41 vjeç, Alfredo Pulido, 49 dhe Rikardo Silva, 37 vjeç.
Tridhjetë e shtatë ish-të dënuar, edhe ata pjesë e grupit me 52 të dënuar që do të lirohen në bazë të marrëveshjes me kishën katolike kubane, pritet të udhëtojnë drejt Madridit në ditët në vijim.
Pesëdhjetë e dy të dënuarit që Havana vendosi t'i lirojë, janë pjesë e një grupi me 75 persona që u dënuan në vitin 2003 për "aktivitete" kundër regjimit të Fidel Kastros.
Disa ish-të burgosur kanë deklaruar se nuk duan të largohen nga ishulli, ndërsa disa të tjerë kanë kërkuar të shkojnë në Shtetet e Bashkuara.
Gjithsej, tashmë, 20 ish-të dënuar pritet të mbërrijnë në Spanjë.
Kryetari i parlamentit kuban, Rikardo Alarkon, deklaroi disa ditë më parë se qeveria e Havanës synon t'i lirojë të gjithë të burgosurit politik në vend. Sipas disa burimeve opozitare, pas lirimit të 52 të burgosurve që u ra dakord, në vend mbeten ende nga 50 deri në 60 të burgosur politikë.
/e.v/ a.jor.