English

Kukes: Shtohet Interesi I Fermereve Per T'U Vetesiguruar

KUKES, 22 korrik/ATSH-R.Hoxha/. - Fermerët e verilindjes kanë nisur të interesohen për t'u vetësiguruar, me synimin për të përfituar shërbimin shëndetësor falas, apo vjetërsinë për pension. Këtë vit situata ka ndryshuar rrënjësisht, ka një rritje të ndjeshme të interesit të fermerëve për të kryer vetesigurimin", thotë për ATSH-në specialisti i zyrës së kontributeve në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore, Rafmedin Hajredini. "Në qarkun e Kukësit për 6 muajt e parë të këtij viti kanë kryer vetesigurimin 1874 fermerë, nga 2008 që ishte numri i fermerëve të planifikuar për t'u vetesiguruar", thotë Hajredini. Ndërkohë, plani i realizimit të të ardhurave është tejkaluar ndjeshëm. Kështu, nga fermerët e rrethit të Kukësit janë derdhur në arkën e sigurimeve shoqërore për 6 mujorin e parë 20277000 lekë nga 13301000 lekë të planifikuar, në rrethin e Hasit janë derdhur në arkën e sigurimeve shoqërore 5426000 lekë, nga 3176000 lekët ë planifikuar, ndërsa në rrethin e Tropojës 9050000 lekë, nga 5871000 lekë të planifikuar. Tejkalimi i ndjeshëm i të ardhurave nga sigurimi i fermerëve këtë vit evidenton edhe rezervat që ka në këtë process. Mjafton të kujtojmë se, në qarkun e Kukësit më shumë se 65 për qind e popullsisë jeton në zonat fshatare, ndërsa janë të vetësiguruar vetëm pak prej tyre (bile edhe sipas planit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore). Pavarësisht fenomenit të rezervës në planifikim, pozitiv është fakti se numri i fermerëve të siguruar është në rritje, ndonëse në këtë drejtim nuk duhet të ketë planifikim, pasi cdo shtetas duhet të sigurohet për pension, apo për sigurim shëndetësor. Në lidhje me këtë problem, specialisti i sigurimeve shoqërore thotë se, "plani na vjen i detajuar nga Instituti, ndërsa ne bëjmë detajimin sipas agjencive (për cdo rreth). Për një planifikim sa më të saktë, cdo fillimviti bëjmë edhe studime për familjet fshatare që e kanë të detyrueshëm sigurimin". /a.ke/
KOMENTE