Kuvend-Shtyhet Shqyrtimi I P/Ligjit Të Shish
TIRANË, 22 Korrik/ATSH/.- Kuvendi vendosi sot shtyrjen e shqyrtimit të projektligjit "Për disa ndryshime në ligjin Për Shërbimin Informativ Shtetëror", pas kërkesës së deputetëve të opozitës së majtë.
Në përgjigje të kërkesës këmbëngulëse të grupit parlamentar socialist për të mos e shqyrtuar sot p/ligjin në fjalë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pranoi heqjen nga rendi i ditës të këtij drafti, duke i dhënë 24 orë kohë opozitës që të njihet me relacionin e Komisionit Parlamentar të Sigurisë për këtë p/ligj.
"Unë jam kryetare e Kuvendit dhe detyra ime është të respektoj rregulloren. Unë i dëgjova kërkesat tuaja z. Ruçi dhe megjithëse mendoj që jeni jashtë rregullores, bie dakord me ty që t'iu japim 24 orë kohë që të njiheni me raportin e Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Unë jam një njeri që i marr parasysh ato që thotë opozita dhe nuk merrem me dietat si ju, dhe ky është një ndryshim i madh", u shpreh kryeparlamentarja sot në seancë, duke iu drejtuar deputetëve të PS-së.
Seanca e sotme plenare e nisur rreth orës 10:35 minuta, që në fillim të saj u shoqërua me debate të ashpra maxhorancë-opozitë lidhur me shqyrtimin e p/ligjit të SHISH, gjë që u kundërshtua nga deputetët e PS-së.
Aktualisht, punimet e parlamentit po vijojnë me pikën e parë të rendit të ditës, që është debati i lirë parlamentar./a.s//a.ke/